Kongresisti amerikan, Keith Self, gjatë një seance të djeshme dëgjimore në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, dha dy deklarata të fuqishme, duke riafirmuar rëndësinë strategjike të Kosovës për NATO-n, stabilitetin rajonal dhe interesat kombëtare të ShBA-së në Ballkanin Perëndimor. Si kryetar i Nënkomisionit për Evropën, kongresisti Self e përshkroi Kosovën si “një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë evropianë të Shteteve të Bashkuara”, duke paralajmëruar se refuzimi i vazhdueshëm i disa anëtarëve të NATO-s për ta njohur Kosovën “minon stabilitetin afatgjatë në Ballkan dhe forcon ndikimin e kundërshtarëve si Rusia”.
“Unë kryesoj nënkomitetin për Evropën të këtij komiteti, dhe kemi paqëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit, dhe për këtë arsye ofroj këtë amendament. Përderisa ekzistojnë përpjekje të përbashkëta të fuqishme ushtarake mes ShBA-së dhe Greqisë, ata mbesin në listën e ngushtë të katër aleatëve të NATO-s që refuzojnë njohjen e sovranitetit të Kosovës”.
“Këto vende partnere të NATO-s i janë bashkuar Kinës, Rusisë e Serbisë në refuzimin e tyre për të njohur pavarësinë e Kosovës. Partnerë të afërt që edhe kundërshtarët tanë refuzojnë njohjen sepse e dinë që Kosova është qenësore për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ndikimi i Rusisë në Ballkan është i njohur, dhe po rritet”, tha Self. Duke iu referuar rolit të tij në planifikimin e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 kundër spastrimit etnik serb, Self theksoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim të qartë ndaj demokracisë, sigurisë rajonale dhe bashkëjetesës multietnike, duke paraqitur një argument të fortë për anëtarësim në NATO.
“Mund të ju them se Kosova është qartësisht një prej partnerëve më të afërt dhe më besnikë evropianë të ShBA-së. Të gjitha këto validojnë një rast bindës për anëtarësim në NATO dhe stabilitet në Ballkan. Dhe përderisa Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia refuzojnë njohjen e aleatit tonë ballkanik, nuk do të ketë rrugë të anëtarësimit të aspiruar të Kosovës në NATO”, tha kongresisti amerikan.
“Kosova ka demonstruar përkushtim të qartë të stabilitetit rajonal dhe linjëzim strategjik me NATO-n. Duke i shtuar ata në Aleancë, Kosova do të shërbejë si kundërshpeshë e domosdoshme për të penguar kundërshtarët tanë dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan siç ka ndodhur në të kaluarën. Përderisa vlerësoj kontributet e sotme të Greqisë në KFOR, stabiliteti i vërtetë në Ballkan do të rritej nëse Kosova do të pranohej në NATO. Greqia është një prej atyre vendeve që po e pengon stabilitetin në Ballkan. Kërkoj me ngulm nga kolegët e mi që të votojnë pro këtij amendamenti që ta nxisin Greqinë që ta rishqyrtoj qëndrimin e saj që të mund të sigurohemi që Kosova ka rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit në NATO, rrjedhimisht që stabiliteti në Ballkan të mos i kthehet të kaluarës”, ka thënë Self në seancë.
Në një fjalim tjetër të veçantë në nderim të Eliot Engel, kongresisti Self deklaroi se Engel mbetet “një hero në Kosovë” dhe argumentoi se ai e kuptonte rolin kritik të Kosovës si “shtyllë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”. Ai gjithashtu vuri në pah kontradiktën mes lavdërimit të aleatëve më të fortë të Kosovës në Uashington dhe mungesës së mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik dhe sigurinë afatgjatë të Kosovës.
E aktivisti shqiptar në ShBA, Harry Bajraktari, ka falënderuar kongresistin Keith Self për mbështetjen e tij të fuqishme për Kosovën dhe aspiratën e saj për anëtarësim në NATO, “si rruga më e sigurt për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, u shpreh Bajraktari në një postim në Facebook. /BS




