Prishtinë, 1 korrik – Misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Policia e Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të zhvillojnë më 2 dhe 3 korrik ushtrimin e përbashkët “Golden Sabre 2026”, në Kampin Vrelo.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtrimi do të mbledhë një numër të madh pjesëmarrësish, automjetesh dhe pajisjesh, të cilat do të angazhohen brenda zonës së ushtrimit, si dhe përgjatë rrugëve kryesore përreth kampit.
Qëllimi i këtij aktiviteti është testimi i aftësive dhe procedurave të reagimit institucional në situata të ndryshme të menaxhimit të krizave dhe incidenteve komplekse të sigurisë. Skenarët e planifikuar përfshijnë edhe trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese, si dhe menaxhimin e materialeve të rrezikshme.
Në ushtrim do të marrë pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, në përputhje me mandatin e saj fillestar në fushën e mbrojtjes civile.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, theksoi se ky aktivitet pasqyron përkushtimin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Ky ushtrim i përbashkët simbolizon angazhimin tonë të vazhdueshëm dhe të fortë për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin, në të mirë të të gjithë qytetarëve në Kosovë”, deklaroi Ulutaş.
KFOR rikujtoi se vazhdon të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Misioni thekson se këtë rol e ushtron në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili në përputhje me përgjegjësitë e veta, transmeton rtk.




