Kryesuesi i Seancës Konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari, ka njoftuar se vazhdimi i Seancës Konstitutive do të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00. Dehari ka thënë se e ka parë si lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, ai ka theksuar se ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve.
“Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar Dehari. Ai ka bërë thirrje që deri atëherë marrëveshja politike të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe gatishmëri të deputetëve për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese. “Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”, ka deklaruar Dehari.
Në fund, ai ka thënë se vendi nuk ka nevojë për zvarritje të reja apo një krizë tjetër politike.
“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka shkruar Dehari./BS









