BallinaKulturaFondacioni ALSAR e përkujtoi Abdi Baletën në njëvjetorin e ikjes nga kjo...

Fondacioni ALSAR e përkujtoi Abdi Baletën në njëvjetorin e ikjes nga kjo botë me konferencën shkencore

-

Fondacioni ALSAR, botuesi i kolanës 36-vëllimëshe të veprës publicistike të Abdi Baletës, e përkujtoi atë këtë të hënë, më 21 shtator 2026, me një konferencë shkencore në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta.

E zhvilluar në Hotel “Tirana International”, në bashkëpunim me familjen Baleta, konferenca shkencore mblodhi në sallën “Balsha” personalitete, akademikë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të mjeteve të informimit, intelektualë dhe qytetarë të kryeqytetit.

Konferenca shkencore, “Abdi Baleta: Një jetë në shërbim të kombit”, u hap nga z. Ubejd Gashi, që do t’ia linte mikrofonin kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, për fjalën përshëndetëse.

“E nderuara zonja Flutura Baleta!

Të nderuar akademikë, miq e dashamirës të familjes Baleta!

Të nderuar anëtarë të mediave të shkruara dhe vizive, të pranishëm në këtë sallë!

Respektues e ndjekës të idealit kombëtar të Abdi Baletës!

Personalitete, intelektualë dhe veprimtarë të shquar!

Botës shqiptare i mungon prej një viti një nga kolosët e mendimit, një nga shkruesit më të flaktë, më të paepur e më guximtarë të fjalës për kombin, një prej publicistëve më të pazëvendësueshëm në betejën e ligjërimit publik.”, tha z. Gurra, në nisje të fjalës së tij.

Ai do të vijonte përshëndetjen duke thënë:

“Njeriu që e jetoi epilogun e gjatë të jetës së tij në zjarrminë e dashurisë për kombin e të orvajtjes intelektuale për t’ia përkujtuar shoqërisë shqiptare rrezikun e një shqyerjeje të dytë pas një shekulli nga armiqtë e popullit tonë, që nuk u ndal në demaskimin e interesaxhinjve e gjakprishurve, të atyre që nuk e kishin dhe nuk e kanë për gjë të luajnë me fatet e atdheut, e ka mbushur një vit i larguar nga gjiri ynë.

Në të vërtetë, mosprania do t’i ndihej edhe në të gjallë kur vinin pauzat ndërmjet shkrimeve të botuara kudo ku ishte ende i mirëpritur. Do të sillej ajo mosprani në vetëdijen e njerëzve si fantazmë e harresës së ofruar aq lehtë e aq pa vrasje ndërgjegjeje për luftëtarët e përnjëmendtë të këtij kombi. Përkujtimi i sotëm, interesi për pjesëmarrje, e tregojnë se sa i kotë dhe i pasuksesshëm ka qenë qëllimi i dashakeqësve në këtë kohë padrejtësish për ta shtënë atë midis të harruarve.

Abdi Baleta do të kujtohet si një nga pak polemistët më të ndezur e më prodhimtarë të tranzicionit shqiptar të pas 1990-s. Fillimisht në sallën e parlamentit e në politikë, e në vazhdim në mjetet e informimit, ai krijoi një profil të pangjashëm me askënd, si në paraqitje, në zë e në shkrim. Iu kundërvu të majtës si të padenjë për të marrë në dorë fatet e vendit pasi e kishte shkatërruar atë për dyzet e ca vjet dhe e drejtoi mandej shpatën e mprehur me fjalë përcëlluese për nga tradhtarët e shitësit e interesit kombëtar.

Ai e shndërroi botëkuptimin dhe qëndrimin e tij në një shkollë të mendimit mbi politikën dhe çështjen kombëtare dhe u kthye në pikë referuese për të gjithë ata të cilët ndanin të njëjtat ide dhe të njëjtat argumente. Baleta nuk doli asnjëherë nga llogorja prej nga e zhvillonte polemikën, as u tremb e as nuk i ktheu kurrizin kundërshtarit; qe një luftëtar i veçantë në llojin e vet! Kush i mban mend fjalimet e tij në parlament nuk duhet të jetë surprizuar nga çfarë hodhi në letër dhe e botoi gjatë luftës vetmitare për idetë kombëtare. Ndryshe nga shumë bashkëkohës, nuk shfaqi asnjë shenjë ndryshimi në karakter, për të mbetur, siç e përkufizoi një gazetar i njohur dhe përplasës herë-herë me të, një fenomen i papërsëritshëm i trancizionit shqiptar.

Vlerësimi për Ahmet Zogun e dalloi atë tek i njohu mbretit cilësinë e burrështetit më të shquar të shqiptarëve, të hedhësit të themeleve të shëndosha të shtetit kombëtar shqiptar, të personit kyç për ndërtimin e shtetit shqiptar. ‘Ahmet Zogu do të shënojë gjithnjë pikë kulmore të ndritur në historinë shqiptare. Ai do të jetë gjithnjë shembull shërbimi ndaj kombit dhe shtetit. Veprat e tij janë model veprimi për ata që duan të punojnë për një shtet shqiptar të fortë, demokratik e juridik, dhe për Shqipërinë etnike,’ shkruante ai në revistën ‘Shenja’.

Identiteti islam i shqiptarëve si faktor i mosshuarjes nacionale të tyre, shovinizmi i vendeve fqinje nga një pikëpamje thellësisht nacionaliste, dhe këmbëngulja e vlerësimit të Turqisë si një aleat i natyrshëm strategjik i Shqipërisë e frymëzuan diplomatin, politikanin dhe publicistin Baleta që të shkruante pa pushim e të debatonte me këdo.

Kjo kohë, kjo çorodi, ky kërcënim i vazhdueshëm mbi të tashmen dhe të ardhmen tonë, lojërat e çuditshme me aleatë të çuditshëm, e bëjnë aq të dukshme mungesën e tij në polemikë. Imagjinoni se çfarë do të kishte dalë prej gojës dhe penës së Baletës për shtetin bektashi! Puthadorët duhet t’i ketë urryer, e kështu do t’i kishte urryer edhe sot!

Të pranishëm të nderuar!

Në respekt të pasurisë publicistike të lënë pasardhësve, të vizionit tonë kombëtar si ALSAR, përmbledhja 36-vëllimëshe e veprës është guri i vendosur prej nesh në kokën e varrit të Abdi Baletës. Asgjë nuk e përshkruan më mirë atë se 36 vëllimet, ku ai flet dhe nuk ndalet, dhe ku fjala fiton më shumë peshë e vlefshmëri me rrjedhjen e kohës. Seria është më e madhja e kushtuar një personaliteti nga Botimet ALSAR, dhe ndër më të mëdhatë e botuara ndonjëherë në tregun shqiptar të librit. Kolana sfidon plotësisht dhe mjeshtërisht mënjanimin dhe harresën e qëllimshme të Abdi Baletës nga bota e errët e shqiptarëve pa din e iman.

Konferenca e sotme shkencore është një mundësi për ta riparë e rivlerësuar figurën dhe kontributin publicistik dhe atdhetar të Abdi Baletës një vit pas ikjes nga kjo dynja. ‘Një jetë në shërbim të kombit’, në kornizën e emërtimit të aktivitetit shkencor, thotë gjithçka për çfarë do të dëgjojmë sot në një radhë kumtesash nga folës tejet të respektuar.

Aktiviteti, përpos nderimit për Abdi Baletën, ilustron rëndësinë e dhënë çështjes kombëtare në Fondacionin ALSAR. Në një vit jubilar, si ky i 20-vjetorit të ALSAR-it, konferenca shkencore dëshmon realitetin e fondacionit dhe transformimin nga përparësitë humanitare në objektiva të karakterit kulturor dhe nacional.

E patëm Abdi Baletën për shumë kohë në mesin tonë, dhe tani, kur ai u është nënshtruar ligjësive të Zotit dhe ka mbushur një vit nga largimi për në përjetësi, ne, të mbeturit nga kjo anë e ekzistencës sonë, kemi radhën, falë ALSAR-it, të flasim për të dhe betejat e tij!

Faleminderit që erdhët, dhe punë të mbarë konferencës!”

Z. Mehdi Gurra do të veçonte me një falënderim, për pjesëmarrjen, Princ Lekën.

Konferencën e përshëndeti më pas bashkëshortja e të ndjerit, znj. Flutura Baleta. E ndalur fillimisht te botimi i kolanës së veprës së Abdi Baletës, ajo nënvizoi këmbënguljen e kryetarit të Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, për realizimin e kësaj pune, të nisur para dhjetë vitesh. Rrëfimin e mëpastajmë të saj për bashkëshortin e mbizotëruan

emocionet e forta, që sidoqoftë nuk ia penguan shprehjen e mendimeve dhe kujtimeve të kthjellëta.

Tetë ligjërues mbajtën në dy seancat kumtesa të kushtuara Abdi Baletës në këndvështrime të ndryshme akademike. “Dituria e moralit – karakteri dhe virtytet e shqiptarit në veprën e Abdi Baletës” qe tema për të cilën ligjëroi z. Artur Shkurti. Në radhë pas tij, dr. Hysamedin Feraj foli me kumtesën, “Baleta, shkurt e saktë”. Prof. assoc. dr. Enis Sulstarova trajtoi analizën, “Baleta si polemist”. Seancën e parë e mbylli dr. Bajram Xhafa, mbajtës i ligjëratës, “Abdiu, sfidues i tabuve të tezave të historiografisë shqiptare”. Në seancën e dytë e mori fjalën z. Elvis Hoxha, që kishte zgjedhur të fliste për “Pararendjet e Baletës në kuptimin e demokracisë”. Në një dritë tjetër u përkujtua Baleta nga z. Sulejman Gjana, me kumtesën, “Abdi Baleta: Trashëgimia zogiste, angazhimi kombëtarist dhe Mbreti Leka”. Z. Ubejd Gashi u ndal te një aspekt tjetër, paksa i veçantë: “Pse e deshtën Baletën dëgjuesit e RTV Mitrovica”. Kumtesa e fundit iu rezervua z. Salih Kabashi, vënës në dukje me kumtesën se, “Baleta guxoi të fliste kur nuk kishte guxim”.

Për të pranishmit në konferencë ishte shtruar një koktej në pushimin midis dy seancave, i shfrytëzuar dhe për të shkëmbyer mendime të lira mbi figurën dhe personalitetin e Abdi Baletës, transmeton alsar.al.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Nata e gjashtë e protestës në Prishtinë, qytetarët kërkojnë drejtësi për...

0
Qytetarë të shumtë janë mbledhur sonte në sheshin e Prishtinës, në ditën e gjashtë të protestave kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të...