POSTIMET E FUNDIT

Ibrahim Kadriu – Njeriu i Marsit, Zëri i Referendumit dhe Flakadani i Luginës së Preshevës

Nga Drita Osmani

Marsi për shqiptarët shpesh ka qenë muaj simbolik – muaj i kthesave historike, i sakrificës dhe i pranverës së lirisë. Por për Luginën e Preshevës, marsi kishte një emër: Ibrahim Kadriu. Ishte muaji i tij, muaji që ai e jetoi, e udhëhoqi dhe në të cilin u përjetësua si figurë emblematike e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992 në Preshevë.

Ai ishte zëri që ngriti Luginën për t’u deklaruar hapur pro bashkimit me Kosovën. Në kohë të vështira, kur fjala kushtonte dhe guximi paguhej shtrenjtë, Ibrahim Kadriu nuk zgjodhi heshtjen. Ai zgjodhi kauzën.

Flakadani i Referendumit të 1 dhe 2 Marsit 1992

Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992 mbetet një nga momentet më të rëndësishme historike për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në ballë të atij organizimi qëndronte Ibrahim Kadriu – politikani i pakorruptuar, intelektuali i palëkundur, njeriu që e bëri çështjen e Luginës të dëgjohej deri në skajet më të largëta të botës.

Ai nuk ishte vetëm organizator; ishte frymëzim. Ishte Sizifi i Preshevës që, edhe kur jeta nuk i dha asgjë, ai nga asgjëja e tij dha gjithçka. Me një filozofi jetësore të thjeshtë e të pathyeshme: “Të jetuarit për Kauzën Kombëtare Shqiptare.”

Nga student “pour excellence” në simbol të dinjitetit

Rruga e tij jetësore ishte rrugë sakrifice. Nga një student “pour excellence”, në profesor të dalluar. Nga një i larguar padrejtësisht nga puna, në kryetar të Shoqatës “Nënë Tereza”. Nga një intelektual i heshtur, në një zë të fuqishëm që guxonte t’i ngrinte gishtin çdo kujt që cenonte dinjitetin dhe nderin njerëzor.

Ai jetoi me kokën lart dhe e bëri dinjitetin ligj. Nuk u përlye nga korrupsioni, nuk u përkul para presioneve, nuk e shiti idealin. Jeta mund të mos i ketë dhënë pasuri, trashëgimtarë apo një kulm mbi kokë, por ai u largua pa asnjë njollë mbi figurën e tij – një pasuri më e madhe se çdo pronë materiale.

Njeriu i Kosovës dhe i Shqipërisë së Bashkuar

Ibrahim Kadriu ishte njeriu që ia njohu plagët Kosovës, që ia fshiu lotët, që nderoi çdo varr dëshmori e të rëni në çdo përvjetor. Ai jetoi me ëndrrën e bashkimit kombëtar – me sytë dhe zemrën kah Shqipëria e Bashkuar me Kosovë, Preshevë, Iliridë, Çamëri e Malësi.

Ikja e tij në mars – në muajin e Adem Jashari, në marsin e lirisë dhe të furtunave që ai vetë i sfidoi – duket si një simbolikë e thellë historike. Sikur jeta e tij të ishte shkruar për t’u mbyllur pikërisht në muajin që e bëri protagonist.

Amaneti i mbështjellë me flamur

Ai u largua nga kjo botë me vite sakrifice mbi supe, pa realizuar ëndrrën e tij të vetme – bashkimin kombëtar. Por la pas një amanet të mbështjellë në flamur: që kauza të mos harrohet, që dinjiteti të mos nëpërkëmbet, që zëri i Luginës të mos shuhet.

Sot, Ibrahim Kadriu kujtohet jo vetëm si organizator i referendumit, por si njeriu që jetoi për marsin e Pranverës shqiptare dhe u përjetësua në marsin e tij kuptimplotë.

Prehu në paqe, Zotëri Ibrahim – njeriu i marsit, miku i çmuar dhe simboli i një ideali që mbetet i gjallë, transmeton helveticALforum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB