Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, është pritur në një takim zyrtar nga Komandanti i Forca e Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë zhvillimet aktuale të FSK-së, procesi i transformimit dhe synimet strategjike të Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje ushtrueses së detyrës së Presidentes dhe e informoi atë për proceset nëpër të cilat po kalon aktualisht FSK-ja, përfshirë arritjet e deritanishme dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të forcës.
Gjatë takimit u diskutua veçanërisht për Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, një proces kyç në transformimin e FSK-së drejt një force moderne ushtarake me kapacitete të avancuara mbrojtëse. Po ashtu, palët trajtuan edhe planifikimin afatgjatë të zhvillimit të forcës, si dhe sfidat me të cilat përballet sektori i sigurisë në këtë fazë të rëndësishme.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte edhe roli ndërkombëtar i FSK-së. U theksua rëndësia e pjesëmarrjes së pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacione dhe misione ndërkombëtare jashtë vendit, duke e konsideruar këtë si një dëshmi të përkushtimit të Kosovës për paqe dhe siguri globale.
Nga ana e saj, Albulena Haxhiu përgëzoi gjeneral Jasharin për punën dhe angazhimin e FSK-së, duke vlerësuar profesionalizmin dhe kontributin e saj në aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës.
Ajo theksoi rëndësinë që institucionet e Kosovës t’i japin mbështetje të vazhdueshme zhvillimit të sektorit të sigurisë, në një kohë kur situata gjeopolitike në rajon dhe më gjerë kërkon institucione të forta dhe të përgatitura.
Në përfundim të takimit, të dy palët u dakorduan për nevojën e forcimit të bashkëpunimit institucional dhe vazhdimit të reformave që do ta çojnë FSK-në drejt standardeve të NATO-s. Integrimi euroatlantik dhe ndërtimi i një force moderne, profesionale dhe të aftë për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë mbetet një nga objektivat kryesore strategjike të Kosovës, transmeton rtk.




