Në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf, dermatologia e njohur shqiptare Dr. Merita Hajdini-Zeqiri ka pranuar zyrtarisht vendimin për rifitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Ngjarja u zhvillua në një atmosferë solemne dhe emocionale, duke vënë në pah lidhjen e fortë të bashkatdhetarëve me vendin e tyre të origjinës, pavarësisht jetës dhe karrierës së ndërtuar jashtë Kosovës.
Dr. Hajdini-Zeqiri, e cila jeton dhe vepron në Bon të Gjermanisë, konsiderohet një nga figurat e suksesshme shqiptare në fushën e mjekësisë dhe dermatologjisë. Me punën dhe profesionalizmin e saj, ajo ka arritur të përfaqësojë me dinjitet komunitetin shqiptar në Gjermani.
Një nga arritjet më të rëndësishme të saj është fakti se ajo është bërë gruaja e parë shqiptare në Gjermani që është prezantuar në ballinën e revistës profesionale gjermane Deutsche Dermatologie, një vlerësim i rëndësishëm për kontributin dhe përkushtimin e saj në fushën e dermatologjisë.
Përfaqësuesit e Konsullatës së Kosovës në Düsseldorf vlerësuan lart sukseset profesionale të Dr. Hajdini-Zeqiri, duke theksuar se rikthimi i shtetësisë është një moment me rëndësi të veçantë, i cili simbolizon ruajtjen e identitetit kombëtar dhe lidhjes shpirtërore me Kosovën.
“Rifitimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës është gjithmonë një moment emocional dhe krenarie për bashkatdhetarët tanë”, u tha gjatë ceremonisë.
Në fund të takimit, Dr. Merita Hajdini-Zeqiri u falënderua për vizitën dhe për kontributin e saj profesional e shoqëror, ndërsa iu uruan suksese të mëtejshme në jetën personale dhe në karrierën e saj mjekësore në Gjermani, transmeton Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf të Gjermanisë, përcjell helveticALForum.ch.




