Gjilan, Istog – Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar për nënshkrimin e marrëveshjeve të grantit me komunat e Gjilanit dhe Istogut, në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat. Përmes këtyre marrëveshjeve, dy komunat përfitojnë gjithsej 3 milionë e 680 mijë euro, të cilat do të përdoren për ndërtimin, renovimin dhe rindërtimin e njësive të banimit për familjet në nevojë.
Gjilani përfiton mbi 2 milionë euro
Sipas Pacollit, Komuna e Gjilanit do të përfitojë 2 milionë e 30 mijë euro nga ky projekt. Me këto mjete parashihet realizimi i gjithsej 33 njësive të banimit.
“Sot, së bashku me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, nënshkruam Marrëveshjen e Grantit në kuadër të Projektit të Banimit Social Adekuat”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo bëri të ditur se nga 33 njësitë e planifikuara, 25 do të jenë njësi të reja të banimit social, ndërsa do të bëhet edhe renovimi i dy shtëpive dhe rindërtimi i gjashtë shtëpive private. Sipas ministres në detyrë, ky investim përbën një hap konkret drejt rritjes së kapaciteteve të banimit social dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Istogu me 1.65 milionë euro për 60 familje
Në kuadër të të njëjtit projekt, Komuna e Istogut do të përfitojë 1 milion e 650 mijë euro. Marrëveshja e grantit është nënshkruar nga Pacolli dhe kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati.
“Me këtë marrëveshje, me vlerë 1 milion e 650 mijë euro, do të mundësojmë renovimin e 55 shtëpive dhe rindërtimin e 5 shtëpive, duke përmirësuar drejtpërdrejt kushtet e banimit për 60 familje në nevojë”, ka thënë Pacolli.
Ajo e ka cilësuar këtë investim si një ndërhyrje konkrete në përmirësimin e mirëqenies së familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga shteti.
“Ky është një investim konkret në dinjitetin dhe mirëqenien e familjeve që kanë më së shumti nevojë për mbështetje nga shteti”, ka shtuar ajo.
Në total, përmes dy marrëveshjeve, Gjilani dhe Istogu përfitojnë 3.68 milionë euro, ndërsa projektet pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të banimit për dhjetëra familje, transmeton rtk.










