Gllogjan – Në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan është ndezur “Flakadani i Lirisë”, në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ceremonia është organizuar në prag të shpalljes së vendimit në rastin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, vendim që pritet të shpallet më 16 shtator.
Në ndezjen simbolike të flakadanit morën pjesë përfaqësues të platformës “Liria ka Emër”, përfaqësues të Komunës së Deçanit, veteranë të luftës dhe qytetarë të shumtë.
Pjesëmarrësit shprehën besimin e tyre se procesi gjyqësor do të përfundojë me një vendim të drejtë, duke theksuar mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së dhe bindjen e tyre se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër.
Ish-gjenerali i UÇK-së, Daut Haradinaj, tha se ndezja e flakadanit përçon një mesazh të fuqishëm për sakrificën e popullit të Kosovës dhe unitetin në mbështetje të ish-bashkëluftëtarëve.
“Ky flakadan simbolizon sakrificën e popullit të Kosovës, por njëkohësisht edhe bashkimin tonë në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë që padrejtësisht po gjykohen tash e sa vite në Hagë”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se flakadani është gjithashtu një mesazh për ata që e njohin historinë dhe të kaluarën e Kosovës.
“Edhe ky flakadan sonte le të jetë një mesazh për të gjithë ata që e njohin të kaluarën tonë, luftën tonë, se lufta jonë ka qenë e pastër dhe e ndershme. Gjithashtu kemi një mesazh edhe për të gjithë ata që kanë vendimmarrje. Do t’i presim krenarë djemtë tanë të pafajshëm më 16 shtator”, tha Haradinaj.
Në ceremoni foli edhe Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka Emër”, i cili e cilësoi pjesëmarrjen në këtë aktivitet si nder dhe shenjë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së.
“Sonte është nder që të jemi bashkë me shokët e Shkëlzenit dhe Luanit në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së. Natyrisht që në Dukagjin ndizet zjarri shumë, sepse ka qenë gjithmonë i tillë kur shqiptarët kanë pasur nevojë”, tha Tasholli. Ndezja e “Flakadanit të Lirisë” në Gllogjan u shoqërua me mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa pjesëmarrësit thanë se me këtë aktivitet synojnë të përcjellin besimin e tyre në drejtësi dhe pritjen për një vendim të drejtë, transmeton rtk.










