POSTIMET E FUNDIT

Fehim ef. Abazi: Besimi Juaj është Amanet, do të Shërbej me Përkushtim dhe Përgjegjësi

Lozanë, 08 maj 2026 – Më 5 maj 2026 u mbajt Kuvendi i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ), ku u zgjodhën organet drejtuese të këtij institucioni për mandatin e ardhshëm. Në vijim të punimeve, për Kryetar të Kuvendit të KMSHZ-së u zgjodh z. Ismail Ademi, njëherësh kryetar i xhamisë në Cyrih, ndërsa për nënkryetar u zgjodh Bilal ef. Tairi, imam në xhaminë e Hörit në Cyrih. Po ashtu, në një proces transparent dhe demokratik, delegatët e Kuvendit zgjodhën edhe përbërjen e re të Kryesisë së KMSHZ-së:

Kryetar:

  • Fehim ef. Abazi

Anëtarë:

  • Dr. Besim Nuzi – imam në xhaminë e Langenthalit
  • Dr. Mixhit Osmani – imam në xhaminë e Salmsach
  • Irfan Musliji – imam në xhaminë “Uniteti” në Au
  • Rijad Aliu – imam në xhaminë “Dituria” në Gjenevë
  • Fesal Fetai – imam në xhaminë e Frauenfeldit
  • Lulzim Lecaj – kryetar i xhamisë në Seebach
  • Mensur Nuhiu – kryetar i xhamisë në Flums
  • Xheneta Ramadani – anëtare nga Xhamia e Bardhë në Aarburg
  • Safije Odai – anëtare nga xhamia “Dituria” në Gjenevë
  • Halime Limani – anëtare nga xhamia në Altendorf

Ndërkaq, si revizorë të KMSHZ-së për katër vitet e ardhshme u rizgjodhën:

H. Idris Ibishi.

H. Femi Bilali

Pas shumë urimeve që i erdhën kryetarit të ri të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, Fehim ef. Abazit, nga e gjithë diaspora, por edhe nga atdheu e personalitete të njohura, ai sot, në këtë ditë të madhe të premte (Xhuma), përmes rrjeteve sociale ka bërë një publikim, ku ndër të tjera shkruan:

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërsit!

Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, Zotit të botëve, ndërsa paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin Muhamed (paqja qoftë mbi të), familjen e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar imamë, kryetarë të xhamive dhe qendrave tona,

Të respektuar anëtarë të Kuvendit,

Të dashur vëllezër dhe motra që jetoni në Zvicër dhe më gjerë,

Me sinqeritet të plotë dhe mirënjohje të thellë, ju falënderoj nga zemra për besimin e madh që më dhatë më 3 maj 2026, duke më zgjedhur Kryetar të Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër. Ky besim për mua përfaqëson një amanet të madh dhe një përgjegjësi të lartë, të cilën e pranoj me zemër, seriozitet dhe përkushtim të plotë.

E pranova këtë detyrë jo vetëm sepse ma besuat ju, por edhe duke u mbështetur në edukatën dhe vlerat që kam trashëguar nga prindërit e mi, si dhe në përvojën time të gjatë në Kosovë dhe më pas në Zvicër. Këto përvoja më kanë formuar dhe më obligojnë që të shërbej me ndershmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë imamët, kryetarët e xhamive dhe qendrave tona, si dhe për anëtarët e nderuar të Kuvendit, për mbështetjen dhe besimin tuaj të sinqertë. Ju jam thellësisht mirënjohës për unitetin, pjekurinë dhe seriozitetin që treguat gjatë këtij procesi të rëndësishëm.

Jetojmë në një shtet që për ne është bërë si një atdhe i dytë, një vend që ka dëshmuar me vepra solidaritet, mirëkuptim dhe bashkëjetesë me komunitetin tonë. Për këtë, ne duhet të jemi gjithmonë mirënjohës dhe të angazhuar që të kontribuojmë pozitivisht në këtë shoqëri.

Po ashtu, falënderoj sinqerisht të gjithë ata që më kontaktuan përmes telefonatave, mesazheve dhe urimeve të shumta — nga përfaqësues të të gjitha xhamive pa përjashtim, nga diplomatë, afaristë, përfaqësues të kulturës dhe artit, si dhe kolegë e bashkëpunëtorë nga bashkësitë islame në vendlindje dhe në diasporë.

Me qindra mesazhe urimi që kam pranuar janë dëshmi e mbështetjes suaj të fuqishme. Fjalët tuaja më japin forcë, kurajë dhe motivim të madh për rrugëtimin që kemi përpara. Urimet tuaja janë një energji shtesë që më shtyn të punoj edhe më shumë, me përkushtim dhe përgjegjësi.

Një mirënjohje e veçantë i takon kryetarit të deritanishëm, hafiz Mehas ef. Alija, si dhe të gjithë anëtarëve të kryesisë së KMSHZ-së, me të cilët kemi bashkëpunuar dhe kontribuar ndër vite. Kemi vepruar si një trup i vetëm, me përkushtim të sinqertë dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie. Lus Allahun e Madhëruar që t’i shpërblejë për çdo përpjekje, mund dhe sakrificë të dhënë në shërbim të komunitetit.

Vlen të theksohet se është bërë një punë e madhe dhe e vlefshme, duke pasur parasysh se i gjithë ky angazhim ka qenë vullnetar dhe pa kompensim financiar — një kontribut i çmuar që meriton respekt dhe vlerësim të veçantë.

Vizioni ynë është i qartë dhe i përbashkët: ndërtimi i një komuniteti më të bashkuar, më të organizuar dhe më aktiv në të gjitha fushat e jetës. Në të njëjtën kohë, synojmë të forcojmë bashkëpunimin me institucionet shtetërore zvicerane, duke qenë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që na është ofruar.

Gjithashtu, do të vazhdojmë dhe do të thellojmë bashkëpunimin me vëllezërit tanë në vendlindje, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi për qëllime të mira dhe të shëndosha, ashtu siç është punuar edhe më parë.

Ky rrugëtim nuk do të jetë individual, por një përpjekje e përbashkët, e ndërtuar mbi bashkëpunim të sinqertë, komunikim të hapur dhe mirëbesim të ndërsjellë. Besojmë se shumë shpejt do të dalim me një planprogram të qartë afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, i cili do të hartohet mbi bazën e propozimeve dhe sugjerimeve tuaja dhe do të paraqitet për miratim në Kuvendin e KMSHZ-së.

Jam i bindur se, me ndihmën e Allahut dhe me përkrahjen tuaj të vazhdueshme, do të arrijmë të forcojmë edhe më tej komunitetin tonë dhe të shërbejmë me dinjitet për të mirën e përbashkët.

I ftoj të gjithë ata që kanë ide, sugjerime apo edhe vërejtje konstruktive, që të na i paraqesin ato hapur, në mënyrë që së bashku të ndërtojmë dhe përmirësojmë punën tonë. Çdo sekondë e kohës dhe çdo përpjekje që do të jap, do të jetë e sinqertë, me përkushtim maksimal dhe e mbështetur në etikën e pastër të fesë sonë islame.

Jemi të hapur për bashkëpunim të sinqertë, për hir të Zotit, për të mirën e komunitetit dhe për përditshmërinë tonë të përbashkët.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë për secilin prej jush, lus Allahun që t’ju bekojë ju dhe familjet tuaja.

Me respekt,

Fehim Abazi

08 maj 2026

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB