
Nga Dashnim HEBIBI
Fotoreportazh – Një sofër shqiptare që bashkoi trojet në mërgim
Zakonisht reportazhet nisin me atë që syri ka parë dhe zemra ka ndjerë, apo me atë që ka kapur videokamera. Por ka momente që nuk mbyllen dot me një pikë fundore, sepse ndjenja vazhdon të rrjedhë edhe pasi fjala është shkruar. Të shkruash për një takim të tillë është si të përgatisësh pajën e nuses: çdo detaj ka peshë, çdo kujtim ka dritë. Mikpritja shqiptare është e njohur kudo, pavarësisht nga cila trevë e atdheut vijmë.

Shtëpia është e mikut – “bukë, kripë e zemër” – një thënie që mbetet e gjallë brez pas brezi.
E kur sot dëgjojmë se ndejat mes familjeve e miqve janë rralluar, na vjen në mend fjala e “Homerit shqiptar”, poetit kombëtar Gjergj Fishta: “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë”.
Fjala e Fishtës dhe pesha e bashkimit
Kur flasim për bashkimin e shqiptarëve, është e pamundur të mos kujtojmë “Homerin shqiptar”, fratin françeskan, poetin kombëtar Gjergj Fishta. Autori i veprës monumentale Lahuta e Malcís, përmes vargjeve të tij, jo vetëm që këndoi historinë dhe qëndresën shqiptare, por edhe kritikoi dobësitë tona si komb.

Thënia e tij e njohur: “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashkë dy shqiptarë”, nuk ishte pesimizëm, por thirrje për reflektim.
Fishta, si mendimtar i kohës së tij, kërkonte unitet, vetëdije dhe përgjegjësi kombëtare. Ai e dinte se shqiptarët, kur bashkohen rreth sofrës, flamurit dhe idealeve të përbashkëta, janë të pathyeshëm. Dhe pikërisht kjo frymë u ndje në mbrëmjen e familjes Gashi – një bashkim zemrash në mërgim, ku dallimet shuhen dhe mbetet vetëm përkatësia. E megjithatë, pikërisht kjo ndodhi mbrëmjen që lamë pas.
Një konak shqiptar, 120 kilometra nga Cyrihu
Në Gjermani, rreth 120 kilometra nga Cyrihu, në drejtim të Rottweil-it, ndodhet një vatër shqiptarie që meriton të përjetohet nga çdo mërgimtar në Zvicër: restoranti me traditë “Coni” Krone në Fluorn-Winzeln. Nga rruga kryesore dukej një dritë që nuk ishte thjesht ndriçim – ishte si dritë ari, një ngrohtësi që të ftonte brenda.

Ftesa kishte ardhur një muaj më parë nga miku i studimeve dhe bashkëvendasi im, Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë. Ai na ftoi në konakun e vëllait të tij në Gjermani, ku do të na priste familja Gashi – katër vëllezër të rritur me shpirtbardhësi, punë dhe dashuri për atdheun.
Familja Gashi vjen nga fshati Turi, afër Bujanocit, pranë Tërnocit dhe jo larg Konçulit – trevë që frymon shqiptari e që për pak minuta të çon në Kosovë. Një familje atdhetarësh, ku djersa është nder dhe fjala është besë.

Trashëgimia e mësuesit Habib Gashi
Në themel të kësaj familjeje qëndron figura e të ndjerit Habib Gashi, mësues i njohur i zonës, i cili ndërroi jetë në vitin 2019. Ai edukoi breza të tërë dhe u la djemve karakterin, moralin, trimërinë, kodin e punës dhe dashurinë për gjuhën e traditën. Katër djemtë e tij sot janë shembull për gjenerata, duke ruajtur amanetin: të mos harrohet prejardhja dhe të mbrohet identiteti.

Valon Gashi, me ardhjen në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, solli një frymë të re përkrahjeje për mërgatën nga Lugina e Preshevës. Në Zvicër jetojnë mbi 30 mijë bashkëkombas nga kjo trevë, të cilët historikisht kanë qenë të lidhur fort me flamurin kuq e zi. Kujtesa na çon edhe te 1-2 marsi 1992, kur popullata shqiptare e Luginës votoi në referendum për ribashkim me Kosovën – 34 vjet më parë, një akt që mbetet dëshmi e vullnetit kombëtar.
Një mbrëmje me diplomatë, afaristë e veprimtarë
Ftesës iu përgjigjën me kënaqësi personalitete të jetës diplomatike e afariste: Ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Shkëlqesia e Tij z. Ermal Dredha; z. Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih; afaristë të njohur si Rexhep Berisha, Afrim Imeri, Lorenc e Kujtim Krasniqi, Anton Nikolla, Ekrem Hasani, si dhe veprimtari Florim Useini, kryetar i Rrjetit të Miqësisë, juristi Nazmi Jakurti, doktori Alban Neziri, Kushtrim Musliu dhe të tjerë. Na mungoi Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Rexhep Demiri, i cili ndodhej me pushime, por përshëndetjet e tij u përcollën me ngrohtësi. Në hyrje të restorantit na priste familja Gashi: nëna Fatime – mbretëresha e shtëpisë – me fytyrë si dielli dhe zemër plot gëzim; vëllezërit Valboni, Valdeti dhe Valsoni, ky i fundit pronar i restorantit që prej 20 vitesh e drejton me sukses bashkë me familjen dhe një staf prej 9 punëtorësh. Fëmijët e shtëpisë përshëndesnin me buzëqeshje, duke e bërë mikpritjen edhe më të plotë.

Fjalë zemre dhe mesazhe bashkimi
Mbrëmja nisi me fjalën e Ambasadorit Ermal Dredha, i cili falënderoi për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për të mirën e kombit. Ai u sugjeroi afaristëve të investojnë në Shqipëri, duke e parë diasporën si urë zhvillimi. Në emër të miqve foli edhe afaristi Rexhep Berisha, i cili kujtoi sofrat e dikurshme shqiptare dhe nevojën për t’i ruajtur ato edhe në mërgim.
Një nga momentet më prekëse ishte kur nëna Fatime qëndroi në ballë të sallës me katër djemtë. Valon Gashi përmendi me mirënjohje edukatën e prindërve dhe amanetin e babait të ndjerë. Nëna i shikonte në sy bijtë e saj – një shikim që fliste më shumë se çdo fjalë. Valboni, me stil perëndimor, rrëfeu për largimin nga vendlindja dhe për rrugën e vështirë drejt suksesit.

“Ne tre në biznes, Valoni në diplomaci”, tha ai me krenari, duke dëshiruar që brezat e rinj të vazhdojnë rrugën e arsimit.
Sofra që bashkoi trojet
Tavolina ishte një bashkim trojesh – gatime të përgatitura me finesë nga Valsoni dhe bashkëshortja e tij, ndërsa nipër e mbesa kontribuonin me përkushtim. Bisedat kalonin nga çështjet kombëtare te ato të biznesit, mes batutash të buta e dollive të shpeshta. Mbrëmja përfundoi me fotografi kujtimi dhe me dhurimin e stilolapsave kuq e zi – simbol i etjes së banorëve të Luginës së Preshevës për flamurin kombëtar në trojet e tyre.
Një shembull që frymëzon
Kjo mbrëmje nuk ishte thjesht një darkë. Ishte një dëshmi se shqiptaria jeton kudo ku ka zemra që rrahin për të. Ishte një kujtesë se uniteti nuk është fjalë, por vepër. Ishte një konak ku diplomacia, biznesi dhe tradita u ulën në një sofër. Familja Gashi mbetet shembull i dashurisë, punës dhe suksesit. Dhe në një kohë kur shpesh thuhet se është e vështirë të bashkohen shqiptarët, kjo mbrëmje dëshmoi të kundërtën: kur ka zemër, ka edhe bashkim.
Dhe kështu, në një restorant në Gjermani, larg trojeve, u ringjall fryma e “Lahutës së Malcís” – fryma e qëndresës, e unitetit dhe e krenarisë kombëtare. Sepse, siç do të thoshte Fishta, shqiptarët mund të kenë dallime, por kur bashkohen rreth sofrës dhe idealit, bëhen një trup e një zemër. Kjo ishte një mbrëmje që dëshmoi se mërgimi nuk e zbeh identitetin – përkundrazi, e forcon atë. Dhe familja Gashi mbetet shembull i gjallë i dashurisë, unitetit dhe suksesit shqiptar në botë.

Kjo mbrëmje nuk ishte thjesht një darkë mes miqsh në mërgim. Ishte një dëshmi se shqiptari, kudo që ndodhet, e bart me vete atdheun në zemër. Në një restorant në Gjermani u ringjall konaku shqiptar, u rikthye fryma e sofrës së përbashkët dhe u dëshmua se tradita jonë jeton aty ku ka dashuri, respekt dhe vetëdije kombëtare.
Shembulli i familjes Gashi, i diplomatëvë, afaristëve dhe veprimtarëve të pranishëm, tregon se uniteti nuk është thjesht fjalë, por vepër. Siç na kujtonte Gjergj Fishta, sfida jonë ka qenë gjithmonë bashkimi – por kur dimë të ulemi bashkë, të flasim hapur dhe të respektojmë njëri-tjetrin, atëherë bëhemi më të fortë se çdo dallim.

Gjuha jonë shqipe, traditat tona shekullore, mikpritja, besa, karakteri dhe ndershmëria janë thesari ynë më i çmuar. Ato nuk duhet të zbehen në mërgim, por të ruhen e të kultivohen me krenari, t’u trashëgohen brezave si amanet i shenjtë. Vetëm duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë, mund të qëndrojmë të pathyeshëm përballë sfidave të kohës.

Të jemi unikë nuk do të thotë të mendojmë njësoj, por të qëndrojmë së bashku për vlerat që na bashkojnë. Sepse kur shqiptari ruan rrënjët dhe bashkon zemrat, ai ndërton ura mes trojeve, mes brezave dhe mes së kaluarës e së ardhmes. Dhe kjo është forca jonë më e madhe. Janë të rrallë njerëzit që me urtësinë e tyre arrijnë të tejkalojnë çdo pengesë, duke ecur drejt qëllimeve madhore që nuk u përkasin më vetëm atyre, por shndërrohen në frymëzim për brezat që kërkojnë dritë dhe njerëzi.

Urtësia dhe guximi, kur ndërthuren, krijojnë mrekulli që shpesh shumica e njerëzve nuk arrijnë t’i perceptojnë. Kohërat e vështira nxjerrin në pah njerëz me shpirt gjigant, të cilët nuk jetojnë vetëm për veten, por mbi supet e tyre mbajnë fatin e një kombi të tërë. I tillë ishte Ymer Prizreni. Në gjurmët e tij qëndrojnë edhe vëllezërit Gashi, të cilët me përkushtim dhe sakrificë ndjekin të njëjtin ideal të lartë kombëtar.




