Një ekspozitë e veçantë kushtuar jetës dhe krijimtarisë së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, është organizuar në Kosovë, duke sjellë në vëmendje jo vetëm trashëgiminë e tij letrare, por edhe lidhjen e veçantë me Kosovën dhe kontributin në mbështetje të çështjes shqiptare. Ekspozita është organizuar në bashkëpunim nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shtëpia Studio Kadare – Bashkia Tiranë. Në ceremoninë e hapjes, zëvendësministrja e parë e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, vlerësoi rolin e rëndësishëm që Kadare pati në mbështetjen e Kosovës, duke theksuar se ai ishte shumë më tepër se një figurë e shquar e letërsisë.
“Për ne në Kosovë, Kadareja ishte më shumë se një shkrimtar i madh. Ai vuri autoritetin dhe famën e tij në funksion të çlirimit të Kosovës dhe ndaljes së politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve. Veprat e tij na shoqëruan në vite të vështira dhe na kujtuan se fjala mund të jetë rezistencë, kujtesë dhe shpresë”, u shpreh Arapi-Krasniqi. Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vuri në pah kontributin e Kadaresë në promovimin e letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se shkrimtari arriti ta bëjë gjuhën dhe historinë shqiptare pjesë të kulturës universale.
“Përmes fuqisë së fjalës, ai e bëri gjuhën shqipe pjesë të letërsisë së madhe botërore dhe përvojën historike të shqiptarëve pjesë të kujtesës universale. Ai i dha letërsisë sonë një jehonë ndërkombëtare të jashtëzakonshme, duke mbetur thellësisht i lidhur me rrënjët, identitetin dhe historinë tonë”, theksoi Malaj.
Edhe drejtoresha e Përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, vlerësoi rëndësinë e krijimtarisë së Kadaresë, duke e cilësuar atë si një prej shkrimtarëve të rrallë që përmes veprës së tij arrijnë të ndërtojnë një univers të tërë letrar.
Përmes dokumenteve, fotografive dhe materialeve të ndryshme, ekspozita sjell dëshmi nga krijimtaria e Ismail Kadaresë, raporti i tij me Kosovën dhe angazhimi intelektual në periudha të rëndësishme të historisë shqiptare.
Kjo ekspozitë përbën një homazh për një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe, duke rikthyer në vëmendje jo vetëm madhështinë e veprës së tij, por edhe rolin që fjala e tij pati në momente të rëndësishme për kombin shqiptar, transmeton euronewsal.










