Përgatiti Dashnim Hebibi
Zürich, 10 maj 2026 – Në një ngjarje të veçantë përkujtimore të organizuar në Zvicër, kushtuar figurës së ndritur kombëtare të akademik Fehmi Agani, mori pjesë edhe Donika Gërvalla-Schwarz. Aktiviteti, i mbajtur më 9 maj dhe i njoftuar nga HelveticALforum.ch, solli bashkë bashkatdhetarë, veprimtarë dhe personalitete të jetës publike për të kujtuar një nga mendjet më të rëndësishme të rezistencës politike shqiptare në Kosovë.
Në fjalimin e saj emocional dhe tejet domethënës, Donika Gërvalla-Schwarz e përshkroi profesor Fehmi Aganin jo vetëm si figurë historike, por si një personalitet që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në formimin politik e kombëtar të një brezi të tërë.

“Sot nuk do të mund të flas për profesor Fehmi Aganin, nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, trurin e rezistencës sonë civile, aspak pasive, vetëm si figurë historike, sepse për shumë prej nesh ai nuk ishte vetëm profesor, as vetëm figurë politike. Ishte njeri pranë të cilit je rritur politikisht e kombëtarisht, edhe kur ke qenë shumë i ri për ta kuptuar plotësisht peshën e kohës që po jetoje”, u shpreh ajo.
Duke rikujtuar vitet e vështira të rezistencës dhe organizimit politik të shqiptarëve të Kosovës, Gërvalla-Schwarz foli për qetësinë, mençurinë dhe maturinë e profesor Aganit, cilësi që sipas saj e bënin atë të veçantë dhe të pazëvendësueshëm.
“Më kujtohen mirë aktivitetet, takimet, organizimet tona të shumta dhe të ndryshme të atyre viteve. Ne të rinjtë shpesh hynim me emocione, me energji, nganjëherë edhe me padurim. Ndërsa ai rrinte i qetë. Gjithmonë i qetë. Jo nga mungesa e shqetësimit. Përkundrazi. Por sepse e kuptonte më mirë se shumica se popujt nuk mbijetojnë vetëm me zemërim. Mbijetojnë me mençuri, me durim dhe me vizion.”
Ajo e përshkroi akademik Aganin si një figurë fisnike, të urtë dhe të matur, i cili nuk kishte nevojë për retorikë të zhurmshme apo kult personal për të fituar respektin e njerëzve.
“Fisnik, i urtë e i matur deri në skaj, Profesor Agani nuk kishte nevojë të ngrinte zërin për të bindur askënd. As për patetikë, për fjalë të mëdha apo për kult personal. Mjaftonte prania e tij. Qetësia e tij. Logjika e tij. Besimi i tij i palëkundur në lirinë dhe Republikën e Kosovës.”
Në vazhdim të fjalës së saj, ajo kujtoi se si profesori sillte kthjelltësi në momentet më të vështira dhe se me humorin e tij të rrallë dinte të ulte tensionet edhe në situatat më delikate.
“Në ato vite të vështira, kur shumëçka ishte pasiguri, profesor Agani sillte kthjelltësi. Kur kishte zemërim, ai sillte maturi. Kur kishte frikë, ai sillte guxim të qetë. Shpesh, me humorin e tij të rrallë dhe me ndonjë shaka të vogël, zgjidhte situatat më të tensionuara që krijoheshin.”
Donika Gërvalla-Schwarz theksoi se profesor Agani nuk e vendoste kurrë veten mbi kauzën kombëtare dhe se forca e tij qëndronte tek pesha e mendimit dhe serioziteti politik.
“Sot në këtë sallë ndodhen shumë njerëz që e kanë njohur nga afër. Edhe të tillë që kanë kaluar vite të tëra me të dhe krah tij. Dhe e di që do të pajtoheni me konstatimin që: profesor Agani nuk e ngrinte kurrë veten mbi kauzën. Nuk kishte ego politike. Nuk kishte nevojë të dominonte dhomën. Forca e tij ishte pesha e mendimit.”
Në mënyrë të veçantë, ajo ndaloi edhe te raporti dhe bashkëpunimi mes Fehmi Aganit dhe veprimtarit të njohur Sali Çekaj, duke e cilësuar atë si simbolikë të bashkimit rreth idealit të lirisë së Kosovës.
“Profesor Agani dhe Sali Çekaj herët e kishin kuptuar që liria nuk fitohet vetëm me armë, e aq më pak vetëm me fjalë. Ajo fitohet vetëm atëherë kur njerëz të ndryshëm, me role të ndryshme, i shërbejnë të njëjtit ideal.”
Në mesazhin e saj, Gërvalla-Schwarz tha se Kosova sot është shtet, por ka ende nevojë për kulturën politike dhe përgjegjësinë që përfaqësonin figura si Fehmi Agani dhe Sali Çekaj.
“Kosova sot është shtet. Por ka ende nevojë për atë kulturë përgjegjësie që ata përfaqësonin. Për njerëz që nuk e duan vendin vetëm me fjalë, por edhe me karakter.”
Ajo e cilësoi profesor Aganin si një mendje që i dha drejtim rezistencës politike të Kosovës dhe si simbol të seriozitetit, maturisë dhe përgjegjësisë ndaj shtetit.
“Sot, kur e kujtojmë profesor Aganin, nuk kujtojmë vetëm një njeri të vrarë nga regjimi serb. Kujtojmë një mendje që i dha drejtim rezistencës sonë politike. Një njeri serioz, të urtë dhe të palëkundur.”

Në fund të fjalimit të saj, Donika Gërvalla-Schwarz falënderoi organizatorët e ekspozitës dhe të aktivitetit përkujtimor, ndërsa përcolli mesazhin për respektin e përhershëm ndaj brezit që mbajti gjallë Kosovën në kohët më të rënda.
“Një falënderim i veçantë i shkon Konsullit të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, z. Saim Tahiraj dhe Shoqatës Sali Çekaj, si dhe Muzeut të Kosovës për organizimin e kësaj ekspozite mbresëlënëse.
Lavdi jetës dhe veprës së profesor Fehmi Aganit.
Respekt i përhershëm për brezin që e mbajti Kosovën gjallë në kohët më të vështira.” Foto nga D.G




