Nominimi i kandidatit nga Florida i është dërguar Senatit amerikan për shqyrtim dhe konfirmim. Kosova pritet të ketë një përfaqësues të ri diplomatik të Uashingtonit, nëse kandidatura merr miratimin përfundimtar.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka propozuar Mikhail Bogachek, nga shteti i Floridës, për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të SHBA-së në Republikën e Kosovës.
Emri i Bogachek është përfshirë në listën zyrtare të nominimeve presidenciale, të cilat Shtëpia e Bardhë ia ka përcjellë Senatit amerikan më 9 nëntor 2026, për shqyrtimin e kandidaturave në pozita të ndryshme të administratës amerikane dhe të përfaqësive diplomatike të SHBA-së në botë. Sipas procedurave kushtetuese amerikane, propozimi i presidentit nuk nënkupton emërim të menjëhershëm. Kandidatura e Bogachek duhet të kalojë nëpër procesin e shqyrtimit dhe të marrë konfirmimin e Senatit amerikan, përpara se ai të mund të marrë zyrtarisht detyrën diplomatike në Prishtinë.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë thuhet: “Mikhail Bogachek, nga Florida, të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës”.
Propozimi i presidentit Trump vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara mbeten me rëndësi të veçantë strategjike dhe politike. SHBA-ja ka qenë një nga mbështetëset kryesore të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, si dhe një faktor i rëndësishëm në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon. Për Kosovën, përfaqësimi diplomatik amerikan në Prishtinë ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm në raportet dypalëshe, por edhe në proceset euroatlantike, dialogun me Serbinë dhe perspektivën e integrimit ndërkombëtar. Tashmë mbetet të shihet nëse Senati amerikan do ta konfirmojë kandidaturën e Mikhail Bogach, transmeton rtk.










