Siç ka raportuar agjencia e lajmeve helveticALforum.ch, mbrëmjen e kaluar në Gjermani u mbajt një ndejë e veçantë te familja Gashi që mblodhi diplomatë, shkencëtarë dhe afaristë shqiptarë në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese.
Në këtë takim mori pjesë edhe shefi i misionit konsullor të Kosovës në Cyrih, z.Vigan Berisha i cili përmes disa fjalëve përshkroi rëndësinë e këtij organizimi dhe theksoi rolin e bashkëpunimit institucional në forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe institucioneve shtetërore.
“Kisha kënaqësinë që me ftesë të mikut tim, z. Valon Gashi, Sekretar i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bern, të marr pjesë në një darkë miqësore të organizuar nga familja e tij,” u shpreh ai.
Mbrëmja u zhvillua në frymë respekti, bashkëpunimi dhe komunikimi konstruktiv, duke reflektuar vlerat e përbashkëta dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale. E pranishme ishte edhe Sh.T.Z. Ermal Dredha, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bern, si dhe personalitete të tjera nga fusha të ndryshme.
Në mesin e të ftuarve ishin mjekë, afaristë, publicistë, profesionistë të fushave të ndryshme, veteranë të luftës dhe veprimtarë të mërgatës, të cilët kontribuojnë vazhdimisht në avancimin e çështjeve kombëtare dhe në forcimin e lidhjeve mes vendeve ku jetojnë dhe atdheut.
Në përmbyllje të fjalës së tij, shefi i misionit konsullor shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyer të kësaj mbrëmjeje, duke theksuar se takime të tilla janë ura të rëndësishme bashkëpunimi dhe afrimi mes komunitetit shqiptar në Evropë, transmeton helveticALforum.ch




