Sulmet fizike, përdorimi i forcës nga policia dhe pengimi i gazetarëve gjatë raportimit kanë ngritur shqetësime për lirinë e medias në Shqipëri. Reporterët pa Kufij dhe organizatat e gazetarëve kërkojnë hetime të pavarura dhe zbatimin e masave për mbrojtjen e punonjësve të medias.
Një sërë rastesh të dhunës dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestave dhe raportimit të ngjarjeve në Tiranë kanë rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së medias në Shqipëri. Sipas të dhënave të bëra publike nga Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizatat e gazetarëve, disa punonjës të medias janë përballur me goditje fizike, përdorim të forcës dhe ndërhyrje që kanë penguar ushtrimin e detyrës së tyre profesionale. Më 18 tetor, gazetari i News24, Renaldo Salianji, u godit fizikisht, ndërsa fotoreporteri Hameraldi Agolli, bashkëpunëtor i Associated Press, u ndalua me forcë nga policia. Incidentet vijuan edhe mbrëmjen e 19 tetorit, kur gazetari i News24, Osman Stafa, dhe punonjës të tjerë të medias u penguan nga efektivët të ndiqnin dhe filmonin shoqërimet e protestuesve në rrugicat pranë Rrugës së Dibrës në Tiranë. Po gjatë këtyre zhvillimeve, gazetari i SYRI TV, Taulant Kopliku, deklaroi se një efektiv policie e kishte goditur në shpatull dhe i kishte marrë telefonin celular. Sipas pretendimit të tij, pajisja iu kthye me pamjet e fshira, një episod që ngre shqetësime jo vetëm për sigurinë fizike të gazetarëve, por edhe për mbrojtjen e materialeve të tyre filmike. Raste të tjera u raportuan gjatë mbulimit të ngjarjeve në terren. Gazetari Marsi Korreshi u godit në shpinë me një helmetë dhe u shty teksa raportonte drejtpërdrejt për një zjarr pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3. Ndërkohë, gazetari Elkier Bushkolaj u plagos në këmbë nga një predhë gome, ndërsa Juljan Hoxha dhe fotoreporteri Felix Bilani deklaruan se ishin goditur nga efektivët e policisë.

Në listën e incidenteve të raportuara përfshihet edhe gazetarja e Klan News, Glidona Daci, e cila, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë, u godit me gurë në një incident që organizata ia atribuon efektivëve të policisë. Shqetësimet për sigurinë e reporterëve nuk kufizohen vetëm në këto raste. Agjencia Reuters raportoi se dy nga gazetarët e saj u goditën nga fishekë gome gjatë përleshjeve në Tiranë më 17 tetor. Një tjetër incident i rëndë ishte ai i Izmir Akullit, kryeredaktorit të portalit Dosja.al, i cili përfundoi në spital pas dhunës fizike të ushtruar ndaj tij më 13 tetor, pranë Bankës së Shqipërisë. Sipas dëshmisë së publikuar prej tij, disa efektivë policie e goditën me grushte dhe shqelma ndërsa ai po filmonte ndërhyrjen e policisë ndaj një studenti.
RSF kërkon përgjegjësi dhe zbatim të masave mbrojtëse
Përballë këtyre incidenteve, organizatat për lirinë e medias kanë kërkuar që rastet e raportuara të hetohen në mënyrë të pavarur dhe që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi në përputhje me ligjin. Sipas një deklarate të Rrjetit SafeJournalists, të publikuar më 18 tetor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte nisur shqyrtimin e pretendimeve për sjellje të pahijshme dhe shtatë efektivë ishin pezulluar. Megjithatë, deri në informacionin e bërë publik, nuk është sqaruar nëse këto masa lidhen drejtpërdrejt me rastet e raportuara të dhunës ndaj gazetarëve. Më herët, më 14 tetor, organizata për lirinë e medias dhe të shoqërisë civile, mes tyre edhe Reporterët pa Kufij, kërkuan zbatimin e plotë të Udhëzuesit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuar në maj të vitit 2025. Përveç hetimeve të pavarura për rastet e dhunës dhe pengimit të raportimit, organizatat kërkuan edhe mbajtjen e një seance të posaçme dëgjimore në Parlamentin shqiptar. Sipas RSF-së, edhe pas këtij apeli janë regjistruar incidente të tjera, duke shtuar shqetësimet për efektivitetin e masave të ndërmarra për mbrojtjen e gazetarëve.
Shqipëria, në vendin e 83-të për lirinë e shtypit
Incidentet e raportuara vënë në pikëpyetje zbatimin në praktikë të standardeve për mbrojtjen e gazetarëve, veçanërisht gjatë protestave dhe ndërhyrjeve policore. Siguria e reporterëve, e drejta për të filmuar veprimet e autoriteteve në përputhje me ligjin dhe mbrojtja e materialeve të tyre janë elemente thelbësore për garantimin e informimit të publikut. Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të publikuar nga Reporterët pa Kufij, Shqipëria renditet në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve. Në këtë kontekst, organizatat e medias kërkojnë që angazhimet institucionale për sigurinë e gazetarëve të shoqërohen me masa konkrete, hetime transparente dhe përgjegjësi për çdo shkelje të provuar. Trajtimi i këtyre rasteve konsiderohet i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e punonjësve të medias, por edhe për garantimin e lirisë së shtypit dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar, transmeton Bweb.










