BallinaEKSKLUZIVEDASHNIM HEBIBI – 50 VJET JETË, NJË PËRJETËSI PYETJESH: NJË LIBËR QË...

DASHNIM HEBIBI – 50 VJET JETË, NJË PËRJETËSI PYETJESH: NJË LIBËR QË VJEN NGA SHPIRTI DHE MBETET NË KUJTESË

-

Nga Besnik H. LUMA

Një rrugëtim njerëzor, një dëshmi shpirtërore dhe një vepër që përmbledh pesëdhjetë vite jetë, përjetimesh, sfidash dhe reflektimesh.

PhD Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me qendër në Cyrih të Zvicrës, dhe autor i mbi 30 veprave, kryesisht me tematikë nga jeta dhe veprimtaria e diasporës shqiptare, vazhdon të dëshmojë se fjala e shkruar është një nga mënyrat më të fuqishme për ta ruajtur kujtesën kolektive. Prej 26 vitesh në mërgim dhe me 31 vjet në gazetari aktive, ai ka qenë një nga ata njerëz që me përkushtim, modestinë dhe profesionalizmin e tij ka përcjellë e dokumentuar ngjarje, aktivitete dhe zhvillime të shumta të mërgatës shqiptare, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në shumë shtete të Evropës. Shkrimet e tij janë pritur dhe vlerësuar nga lexuesit shqiptarë, sepse pas tyre qëndron një përkushtim që shkon përtej interesit të momentit. Nuk janë shkrime për klikime, por dëshmi që synojnë të mbeten në kujtesë, të ruhen në arkiva dhe t’u shërbejnë edhe brezave të ardhshëm. Kësaj radhe, Dashnim Hebibi vjen me një projekt të veçantë letrar me poezi, librin në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht, me titull „50 VJET JETË – NJË PËRJETËSI PYETJESH“, i cili do të botohet më 28 nëntor 2026, në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Një vepër me një kopertinë artistike, ku autori shfaqet i rrethuar nga ngjyra e zjarrit, një simbolikë që duket sikur pasqyron edhe rrugëtimin e tij jetësor, me sfida, përjetime, momente të vështira dhe përballje të shumta, si në kohën e studimeve, ashtu edhe gjatë veprimtarisë së tij profesionale, gjithmonë në kërkim të së vërtetës dhe në mbrojtje të fjalës së lirë. Me rastin e këtij botimi, autori ka ndarë me miqtë, familjarët dhe lexuesit një mesazh të gjatë reflektues, në të cilin nuk flet për lavdinë apo suksesin personal, por për jetën, mirënjohjen, familjen, miqësinë, sakrificën, besimin dhe gjurmët që njeriu lë pas vetes.

Ja si shprehet vetë autori:

50 VJET JETË – NJË PËRJETËSI PYETJESH!

Një rrugëtim njerëzor, një dëshmi shpirtërore dhe një libër që vjen nga thellësia e zemrës.

TË DASHUR MIQ, TË AFËRM, LEXUES DHE NJERËZ TË MIRË, KUDO QË NDODHENI…

Nëntori ka një vend të veçantë në zemrën time. Është muaji i historisë, krenarisë dhe kujtesës sonë kombëtare; muaji i Skënderbeut, Ismail Qemalit, Adem Jasharit dhe i të gjithë shqiptarëve që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre i dhanë kuptim lirisë dhe dinjitetit tonë kombëtar. Ky nëntor më gjen me pesëdhjetë vite jetë, të cilat i kam mbushur më 12 qershor të këtij viti. Pesëdhjetë vite që më kanë mësuar shumë për jetën, njerëzit, dashurinë, miqësinë, sakrificën dhe, mbi të gjitha, për vlerën e të qenit njeri. Sot, duke parë pas në rrugëtimin tim, ndiej nevojën të ndalem për një çast dhe të ndaj me ju disa mendime që kanë lindur nga përvojat, gëzimet, dhimbjet, sfidat dhe reflektimet e mia. Nuk e bëj këtë për të treguar se çfarë kam arritur, por për të shprehur mirënjohjen për gjithçka që jeta më ka dhënë dhe për gjithçka që më ka mësuar. Mbi të gjitha, falënderoj Zotin për jetën, për çdo ditë që ma ka falur, për njerëzit që kam takuar dhe për forcën që më ka dhënë për të vazhduar përpara. Nuk lutem të kem një jetë pa vështirësi, por të kem forcën, urtësinë dhe mirësinë për t’i përballuar ato. Lutem që çdo ditë të jem një njeri më i mirë se dje, më i drejtë në fjalë, më i pastër në shpirt dhe më i dobishëm për njerëzit. Më 28 nëntor 2026, në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, libri im „50 VJET JETË – NJË PËRJETËSI PYETJESH“ do ta shohë dritën e botimit. Për mua, kjo datë ka një domethënie të dyfishtë: është një ditë e shenjtë e kujtesës sonë kombëtare dhe një moment i veçantë i rrugëtimit tim krijues.

Nuk është thjesht një botim tjetër në mesin e librave që kam shkruar. Është një pjesë e jetës sime, një dëshmi e pesëdhjetë viteve të përjetimeve, mendimeve, pyetjeve dhe kërkimit të vazhdueshëm të kuptimit të jetës. Përmes këtij libri kam dëshiruar të ndaj me ju jo vetëm atë që kam menduar, por edhe atë që kam ndier, përjetuar dhe kuptuar gjatë rrugëtimit tim. Në faqet e tij gjenden copëza të shpirtit tim, kujtime, reflektime dhe mendime për njeriun, familjen, kohën, mirësinë, sinqeritetin, dinjitetin dhe përkohshmërinë e jetës. Dua që këtë libër t’ua dhuroj njerëzve që lexojnë, që reflektojnë, që e vlerësojnë fjalën e shkruar dhe që kanë shpirt të bardhë. Nuk dëshiroj që ai të jetë një objekt dekorues në bibliotekën e dikujt, një kopertinë e bukur në një raft apo një dhuratë që harrohet pa u hapur. Dua të jetë në duart e atyre që e lexojnë, në mendjet e atyre që mendojnë dhe në zemrat e atyre që dinë ta ndiejnë fjalën. Sepse një libër nuk e përmbush misionin e tij vetëm duke u botuar, por duke u lexuar, kuptuar dhe duke lënë gjurmë në ndërgjegjen e lexuesit.

Nuk ka rëndësi sa kopje shpërndahen, nëse ato nuk hapen kurrë. Më e vlefshme është një zemër që e lexon dhe e kupton një mendim, sesa një raft që mbushet me libra vetëm për t’u dukur. Nëse Zoti ma mundëson dhe ma fal jetën, dëshira ime është që një ditë gjithë rrugëtimin tim jetësor ta përmbledh edhe në një biografi. Një libër që nuk do të flasë për pasurinë, famën apo pozitat, por për një jetë njerëzore, me të gjitha dritëhijet e saj. Për familjen, prindërit, miqtë, njerëzit shpirtbardhë, sakrificat, gabimet, mësimet, dashurinë, besimin dhe shpresën. Do të dëshiroja që ai rrëfim të mbetet një dokument i jetës sime për familjen, për fëmijët e mi, për miqtë dhe për brezat që do të vijnë.

Një dëshmi se pas çdo njeriu që shohim qëndron një histori që nuk e dimë plotësisht. Sepse jeta është e përkohshme. Të pasur apo të varfër, të njohur apo të panjohur, të gjithë do të kthehemi në të njëjtin dhe. As pasuria nuk na shoqëron, as pozita nuk na përcjell dhe as emri nuk na jep përjetësi. Ajo që mund të mbetet është mënyra se si kemi jetuar, sa kemi dashur, sa kemi ndihmuar dhe çfarë gjurmësh kemi lënë në zemrat e të tjerëve. Nuk kam pretenduar kurrë të jem njeri i përsosur. Edhe unë, si çdo njeri, kam pasur ditë të vështira, kam bërë zgjedhje, kam mësuar nga gabimet dhe kam kuptuar se urtësia nuk vjen vetëm nga vitet, por edhe nga mënyra se si i përjetojmë ato. Kam dëshiruar vetëm të jem i vërtetë në atë që besoj, në atë që shkruaj dhe në atë që përfaqësoj. Çdo fjalë e këtij libri është një copëz e mendimeve, përvojave dhe ndjenjave të mia. Nëse ndonjë mendim ju ka prekur, nëse ndonjë fjali ju ka bërë të ndaleni për një çast, të mendoni për prindërit, familjen, miqtë, jetën apo për mënyrën se si silleni me njerëzit, atëherë fjala e shkruar e ka përmbushur një nga misionet e saj më të bukura.

Në fund, nuk dua të mbahem mend për atë që kam pasur, por për atë që kam qenë. Jo për sa njerëz më kanë njohur, por për sa njerëz kanë ndier mirësi nga prania ime. Faleminderit secilit që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, secilit që më ka dhuruar një fjalë të mirë, një dorë ndihme, një këshillë apo një kujtim të bukur. Faleminderit edhe atyre që, pa e ditur, më kanë mësuar diçka për jetën. Ju uroj nga zemra shëndet, dashuri, mirësi dhe paqe, kudo që ndodheni. Uroj që të mos e humbim kurrë njerëzoren brenda nesh, të mos e harrojmë mirënjohjen dhe të mos e masim vlerën e njeriut me atë që zotëron, por me atë që mbart në shpirt. Zoti na ruajtë, na ndriçoftë mendjen, na pastroftë zemrat dhe na udhëzoftë gjithmonë në rrugën e drejtë, për aq kohë sa na është caktuar të jemi në këtë jetë. Me respekt, mirënjohje dhe zemër të hapur!

„Ajo që do të mbetet pas nesh nuk është pasuria, as emri e as pozita, por gjurmët që kemi lënë në zemrat e njerëzve.“

Kopertina dhe përgatitja grafike e librit janë realizuar nga mjeshtri i njohur, editori i Shtëpisë Botuese „Libri im“ në Pejë, miku im i shpirtit, Berat Thaqi, të cilit i shpreh mirënjohjen time të veçantë për profesionalizmin dhe përkushtimin. Redaktura e librit është bërë nga Jeton Arifi, një personalitet i njohur, por mbi të gjitha një njeri shumë i afërt për mua, të cilin e konsideroj vëlla. Jemi rritur bashkë, kemi ndarë shumëçka në jetë dhe kemi qenë gjithmonë të një fjale. Mirënjohës për miqësinë, besimin dhe përkushtimin e tij. Një falënderim i veçantë, shkon për fëmijët e mi, Dea, Eda dhe Adi. Dhurata që ma keni bërë për 50-vjetorin tim, duke kursyer të holla që babi juaj të mund ta realizonte dëshirën për të pasur edhe një libër të botuar, ka një vlerë që nuk mund të matet me para. Ju e keni kuptuar dëshirën time, sepse më keni parë shpesh me një fletore dhe një laps, duke mbajtur shënime në çdo xhep të sakove të mia. E keni kuptuar se fjala e shkruar është pjesë e pandashme e jetës sime. Faleminderit, fëmijët e mi! Ju dua shumë. Babi është krenar me ju dhe kjo dhuratë do të mbetet ndër kujtimet më të çmuara të jetës sime.

DASHNIM HEBIBI – NJË JETË NË SHËRBIM TË FJALËS SË SHKRUAR

Pesëdhjetë vite jetë, mbi tridhjetë vepra, një çerek shekulli e më shumë përkushtim në mërgatë dhe një rrugëtim që vazhdon të dëshmojë se njeriu nuk matet vetëm me atë që krijon, por edhe me gjurmët që lë pas. Urime për këtë vepër të re, z. Dashnim Hebibi! Qoftë ky libër një tjetër dëshmi e përkushtimit tuaj ndaj letërsisë, kujtesës, familjes dhe njerëzores. Urojmë që 28 Nëntori 2026 ta shënojë një ditë të veçantë për ju, familjen tuaj dhe të gjithë ata që e çmojnë fjalën e shkruar.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Lajm i mirë për shqiptarët në Zvicër: Gjermania drejt heqjes së...

0
Blerjet në Gjermani mund të bëhen edhe më të leverdishme për qytetarët që jetojnë në Zvicër. Qeveria gjermane planifikon të heqë kufirin minimal prej...