Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka shënuar Ditën e Policisë në një aktivitet zyrtar, por ceremonia ka ngjallur kritika për mungesën e përdorimit të gjuhës shqipe dhe për përfaqësimin e pakët të efektivëve shqiptarë në nderimet vjetore.
Sipas raportimeve, e gjithë ngjarja është zhvilluar vetëm në gjuhën maqedonase, pa mbishkrime apo komunikim në shqip, pavarësisht se shqipja është gjuhë zyrtare në vend. Kjo ka sjellë reagime dhe pakënaqësi nga disa grupe politike dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.
Gjithashtu, në listën e 12 policëve më të dalluar të vitit nuk është përfshirë asnjë efektiv shqiptar, përfshirë edhe nga zona me shumicë shqiptare si Tetova. Polici i shpallur më i dalluar për këtë vit është Vençe Siljanovski.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë ende shpjegim zyrtar për mungesën e përfaqësimit në gjuhën shqipe dhe për kriteret e përzgjedhjes së policëve të nderuar.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se janë shënuar rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke theksuar uljen e kriminalitetit dhe rritjen e efikasitetit të policisë.
Sipas tij, krimi i përgjithshëm është ulur me mbi 6%, janë shkatërruar disa grupe kriminale dhe janë përmirësuar rezultatet e hetimeve, duke e cilësuar këtë si një nga nivelet më të larta të efikasitetit në 20 vitet e fundit.
Edhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, ka theksuar investimet në modernizimin e policisë, përmes pajisjeve të reja, digjitalizimit dhe teknologjisë bashkëkohore.
Ndërkohë, opozita LSDM ka kritikuar ashpër situatën e sigurisë në vend, duke pretenduar rritje të dhunës dhe skandaleve dhe duke kërkuar përgjegjësi politike për menaxhimin e sektorit të sigurisë, transmeton euronewsal.




