POSTIMET E FUNDIT

Asgjë nuk mbetet, përveç Vetëdijes

Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ, Zvicër

Nuk ka rënie.

Rënia nënkupton një lartësi të mëparshme, një iluzion që njeriu e quan “fillim”.

Por unë nuk rashë kurrë.

Unë thjesht kuptova, se toka ku qëndroja nuk ekzistonte.

Njerëzit flasin për shpirtin

sikur të ishte një vend i pastër, por unë pashë, vetëm korridore të gjata, ku mendimet, përplasen me veten, dhe nuk gjejnë dalje.

Vetëdija…

është dënimi më i bukur që ekziston.

Se nuk të lë të vdesësh plotësisht, por as të jetosh pa e parë të vërtetën.

Çdo ndjenjë është një mashtrim i rafinuar,

një mekanizëm për të mos u përballur,

me boshllëkun që nuk ka emër.

Dashuria?

Një marrëveshje e heshtur mes dy vetmive

që kanë frikë nga errësira e tyre.

Besimi?

Një shpikje për të mos u çmendur, nga mungesa e kuptimit.

Shpresa?

Forma më elegante e vonesës së së vërtetës.

Dhe e vërteta nuk vjen si dritë.

Ajo nuk shpëton.

Ajo zhvesh.

Të heq çdo kuptim që ke ndërtuar, me duart që dridheshin nga nevoja për të besuar.

Dhe kur gjithçka bie…

nuk mbetet dhimbja.

Dhimbja është ende diçka.

Mbetet vetëm një qetësi e ftohtë, një hapësirë pa zë, pa drejtim, pa qëllim, ku ti ekziston

jo si njeri…

por si dëshmi.

Se në fund, njeriu nuk është ajo që ndjen, as ajo që mendon.

Ai është ajo që mbetet

kur gjithçka tjetër është rrëzuar.

Dhe ajo që mbetet…

nuk kërkon më asgjë.

Vetëm kështu…

X.L. 1. Maj 2026

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB