Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Prof. Dr. Sabri Kiçmari, ka pritur në një takim të rëndësishëm Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Japoneze për Tregtinë e Jashtme (JETRO) me seli në Budapest, z. Yasanari Miyauchi.
Gjatë takimit, z. Miyauchi informoi lidhur me ecurinë e Forumit të Biznesit Kosovë–Japoni, i cili u mbajt muajin e kaluar dhe ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm kompanish japoneze. Sipas tij, interesi i biznesit japonez për Kosovën është në rritje, ndërsa forumi ka hapur rrugën për nisma të reja bashkëpunimi ekonomik.
Forumi pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, duke nxitur partneritete potenciale në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), energjisë dhe infrastrukturës.
Ambasadori Kiçmari e falënderoi z. Miyauchi për vizitën dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Republikës së Kosovës për promovimin e investimeve japoneze në vend. Ai siguroi se Ambasada do të vazhdojë të jetë një adresë e rëndësishme për kompanitë japoneze të interesuara për të zgjeruar prezencën e tyre në Kosovë.
Ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim të përbashkët, transmeton helveticALforum.ch




