Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një mesazhi këshilloi qytetarët amerikanë lidhur me protestën e thirrur nga opozita, që mbahet nesër në orën 18:00 para Kryeministrisë së Shqipërisë.
Në njoftimin e ambasadës njoftohen qytetarët amerikanë se protestuesit planifikojnë të mblidhen para ndërtesës së Kryeministrisë, e vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por protesta mund të zgjerohet në zonat përreth.
“Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut në orët para dhe gjatë protestave. Policia e Shtetit ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.
Po ashtu personelit të ambasadës amerikane i është këshilluar të shmangin protestën.
“Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit. Ndërsa protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh”, vijon njoftimi i ambasadës amerikane.
Njëherësh, ambasada e SHBA-së këshillon shtetasit amerikanë që të shmangin këtë ngjarje, të jenë të vetëdijshëm për rrethanat e tyre, të kufizojnë shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në ambiente publike, të ndjekin mediet lokale, të kenë një plan emergjence ose strategji daljeje, si dhe të mbajnë një profil të ulët, transmeton atsh.




