BallinaDiasporaAkademiku Nazim Gruda zgjidhet president i Unionit të Akademive Evropiane

Akademiku Nazim Gruda zgjidhet president i Unionit të Akademive Evropiane

-

Një tjetër vlerësim për shkencën shqiptare në arenën evropiane. Akademiku Nazim Gruda është zgjedhur president i Unionit të Akademive Evropiane për Shkencat e Aplikuara në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA), duke i dhënë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Presidencën e këtij organizmi për mandatin 2026–2028.

Zgjedhja e akademikut shqiptar përbën një moment të rëndësishëm për komunitetin shkencor në Shqipëri dhe një vlerësim për rolin e vendit në bashkëpunimin akademik evropian. Akademia e Shkencave të Shqipërisë e ka cilësuar zgjedhjen e akademik Grudës si një vlerësim të drejtpërdrejtë për kontributin e Shqipërisë në bashkëpunimin shkencor evropian dhe për përfshirjen e saj në rrjetet akademike ndërkombëtare.

Gruda: Një përgjegjësi në një moment sfidues

Në fjalën e tij pas zgjedhjes, akademiku Nazim Gruda e cilësoi detyrën e re si një përgjegjësi të veçantë personale dhe institucionale. Sipas tij, drejtimi i UEAA-së vjen në një periudhë kur bujqësia dhe sistemet ushqimore po përballen me sfida të shumta dhe komplekse. Ndër çështjet kryesore ai veçoi sigurinë ushqimore, mungesën e ujit, ndryshimet klimatike, ruajtjen e biodiversitetit, zhvillimin e bioteknologjisë dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale. Gruda nënvizoi se shumëllojshmëria e akademive anëtare, përvoja e tyre shkencore dhe bashkëpunimi në nivel evropian përbëjnë një forcë të rëndësishme për përmbushjen e misionit të Unionit gjatë viteve të ardhshme.

Shqipëria në drejtimin e një rrjeti akademik evropian

Presidenca e UEAA-së e vendos Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në një rol të rëndësishëm brenda këtij rrjeti të akademive evropiane që bashkëpunojnë në fushat e bujqësisë, ushqimit dhe shkencave të natyrës. Në kuadër të strukturave të reja drejtuese të Unionit, në Komitetin Drejtues u zgjodhën gjithashtu 12 anëtarë të rregullt dhe 7 anëtarë vëzhgues nga akademitë evropiane. Mes tyre është edhe një përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Mandati i ri 2026–2028 pritet të fokusohet në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet akademive, shkëmbimin e ekspertizës dhe përballimin e sfidave që lidhen me të ardhmen e bujqësisë, ushqimit dhe mjedisit. Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, zgjedhja e Nazim Grudës shënon një rol të ri në përfaqësimin e komunitetit shkencor shqiptar në një strukturë akademike evropiane dhe e vendos institucionin në qendër të bashkëpunimeve shkencore për mandatin e ardhshëm./A.K, transmeton gtema.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kurti takon të dërguarën britanike për Ballkanin

0
Kryeministri Albin Kurti ka takuar të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Sipas Kurtit, në takim u...