
Përgatiti: Dashnim HEBIBI
Medvegja dhe shqiptaria në Zvicër kanë edhe një arsye më shumë për të festuar. Familja Namani sot përjetoi një nga ato momente që vështirë përshkruhen me fjalë, por që mbeten përgjithmonë në kujtesën familjare dhe kombëtare. Lirie Namani, vajza e veprimtarit të njohur shqiptar, Zenë Namani, mbrojti me sukses doktoraturën në Universitetin e Gjenevës, duke marrë vlerësimin më të lartë.
Sot, në tempullin e dijes, në Universitetin e Gjenevës në Zvicër, një tjetër shqiptare shkroi një faqe të rëndësishme suksesi në rrugëtimin e saj akademik. Lirie Namani, e lindur nga një familje me rrënjë në Medvegjë dhe e rritur e edukuar në Zvicër, mbrojti temën e doktoraturës në fushën e Shkencave Edukativo-Arsimore. Në praninë e komisionit akademik, të përbërë nga pesë anëtarë, të gjithë me titullin doktor, Lirie arriti të përmbyllë me sukses këtë rrugëtim të rëndësishëm shkencor, duke u vlerësuar me notën më të lartë dhe duke fituar titullin Doktore e Shkencave Edukativo-Arsimore. Ky sukses nuk është vetëm një arritje personale dhe familjare. Është një lajm i bukur për Medvegjën, për Luginën e Preshevës, për mërgatën shqiptare dhe për gjithë shqiptarinë.

Një baba, një familje dhe një krenari e madhe shqiptare
Pas këtij suksesi qëndron edhe historia e një familjeje shqiptare, e cila me vite jeton dhe vepron në pjesën frankofone të Zvicrës, në rrethinën e Valisit. Bëhet fjalë për Zenë Namanin, ish-kryetar i Shoqatës Humanitare Medvegja në Zvicër, veprimtar, bamirës dhe atdhetar i njohur jo vetëm në Zvicër, por edhe në shumë vende ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët. Për Zenë Namanin, ky është një nga gëzimet më të mëdha të jetës. Sot, së bashku me familjen, ai iu drejtua Universitetit të Gjenevës për të përjetuar nga afër një moment që nuk mund të matet me asnjë vlerë materiale: suksesin e vajzës së tij. Të rritësh një fëmijë, ta edukosh, ta arsimosh dhe ta përcjellësh drejt majave të dijes kërkon sakrificë, përkushtim dhe shumë dashuri.
Prandaj, siç thotë populli ynë:
të rritësh, të edukosh dhe të arsimosh një vajzë është të ndërtosh gjysmën e botës. E sot, familja Namani ka arsye të ndihet krenare. Një vajzë shqiptare, me prejardhje nga Medvegja dhe e formuar në Zvicër, i shtohet radhës së grave shqiptare që me dije, punë dhe profesionalizëm po dëshmojnë vlerat e tyre në institucionet akademike evropiane.
Lirie Namani, jo vetëm një emër në akademi, por edhe një emër në veprimtarinë shqiptare
Ajo që e bën edhe më domethënës suksesin e Liries është fakti se ajo nuk është e përkushtuar vetëm ndaj karrierës akademike. Ajo është aktive edhe në Shoqatën Humanitare Medvegja në Zvicër, duke dëshmuar se lidhja me vendlindjen, identitetin dhe komunitetin nuk humbet as kur njeriu rritet dhe arsimohet në një shtet tjetër. Lirie është e njohur për veprimtarinë e saj kombëtare, për angazhimin në aktivitetet e shoqatës dhe për miqësinë e shëndoshë që ka ndërtuar me komunitetin zviceran. Në aktivitetet e Shoqatës Humanitare Medvegja, kur merrte fjalën dhe mbante referate në gjuhën frënge, ajo me një frëngjishte të rrjedhshme dhe të theksuar i bënte krenarë të gjithë medvegjasit. Ishte një dëshmi e bukur se si një vajzë shqiptare mund të jetë njëkohësisht përfaqësuese e denjë e kulturës së vendit ku jeton dhe e rrënjëve të saj kombëtare. Sot, kjo vajzë që dikur i drejtohej komunitetit me fjalën e saj në gjuhën frënge, u kthye në të njëjtin komunitet me një titull të ri akademik: Doktore e Shkencave Edukativo-Arsimore.
Një festë që tejkalon gëzimin familjar
Sot nuk feston vetëm familja Namani. Feston Medvegja, feston Lugina e Preshevës dhe feston mërgata shqiptare në Zvicër. Në një kohë kur shqiptarët kanë nevojë për më shumë arsimim, dije, shkencë dhe përfaqësim dinjitoz, arritje të tilla janë dëshmi se investimi në edukimin e brezave sjell rezultate që i tejkalojnë kufijtë familjarë. Suksesi i Lirie Namanit është edhe një mesazh për gjeneratat e reja shqiptare: rrënjët nuk harrohen, identiteti ruhet dhe dija është ura më e fortë që i lidh njerëzit me të ardhmen. Në emrin tim personal, në emër të familjes sime dhe të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me qendër në Zvicër, i shpreh urimet më të përzemërta Lirie Namanit për këtë arritje të jashtëzakonshme akademike. Njëkohësisht, urime të përzemërta për babanë e saj, Zenë Namanin, dhe të gjithë familjen Namani, të cilët sot kanë përjetuar një gëzim që nuk blihet dhe nuk zëvendësohet me asgjë.
Siç thotë populli ynë: “E lumja nëna dhe i lumi baba, çfarë vajze kanë rritur!”
Lirie, qofsh gjithmonë e suksesshme në rrugën e dijes, të shkencës dhe të jetës! Le të jetë ky titull vetëm një pikënisje drejt arritjeve të tjera akademike e profesionale.
Medvegja ka arsye të krenohet me ty. Shqiptaria ka edhe një doktoreshë më shumë në Zvicër!
Urime, Lirie Namani!










