Akademiku Arsim Bajrami ka bërë thirrje për një mobilizim të gjerë juridik dhe institucional në mbështetje të procesit ankimor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Ai propozon themelimin urgjent të një komisioni shtetëror me ekspertë të së drejtës, i cili do të analizonte aktgjykimin e shkallës së parë dhe do të ofronte ekspertizë profesionale për ekipet e mbrojtjes.
Akademiku dhe ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka dalë me një propozim konkret për angazhimin e institucioneve të Kosovës në fazën e ardhshme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë. Përmes një propozimi të publikuar në rrjetet sociale, Bajrami kërkon që Kosova të mobilizojë ekspertizën juridike vendore dhe të krijojë një mekanizëm profesional, i cili do të ndihmonte në analizimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe përgatitjen e argumenteve juridike për procedurën e apelit. Sipas tij, faza e ardhshme e procesit kërkon një qasje të organizuar, profesionale dhe të koordinuar, ku vëmendja kryesore duhet të përqendrohet te provat, përgjegjësia individuale penale dhe identifikimi i shkeljeve të mundshme ligjore dhe procedurale.
Bajrami propozon që komisioni i ekspertëve të përbëhet nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës penale dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare. Ai thekson se ky mekanizëm duhet të jetë profesional, pluralist dhe i pavarur nga ndikimet partiake.
Analizë e aktgjykimit dhe mbështetje për mbrojtjen
Një ndër detyrat kryesore të komisionit do të ishte shqyrtimi i hollësishëm i aktgjykimit të shkallës së parë, vlerësimi i mënyrës së administrimit të provave, analizimi i dëshmive dhe identifikimi i kundërthënieve të mundshme ndërmjet provave dhe konstatimeve të trupit gjykues.
Bajrami kërkon gjithashtu që të përgatitet një dokument gjithëpërfshirës juridik, i cili do t’u vihej në dispozicion ekipeve të mbrojtjes si material plotësues gjatë hartimit të ankesave.
Në fokus të kësaj ekspertize, sipas tij, duhet të jenë përgjegjësia individuale penale, besueshmëria e dëshmitarëve, struktura organizative dhe komanduese e UÇK-së, konteksti historik i luftës në Kosovë, si dhe pretendimet lidhur me ekzistencën e një plani apo qëllimi kriminal.
Ai kërkon që të shqyrtohen edhe mundësitë për identifikimin e dëshmitarëve dhe provave shtesë që mund të kenë rëndësi në procedurën ankimore.
Kërkohet edhe monitorim ndërkombëtar
Një tjetër pikë e rëndësishme e propozimit të Bajramit është angazhimi i ekspertëve dhe organizatave profesionale ndërkombëtare për monitorimin e respektimit të standardeve të gjykimit të drejtë në Dhomat e Specializuara.
Ai vë theksin te prezumimi i pafajësisë, barazia e armëve ndërmjet palëve, e drejta për mbrojtje efektive dhe respektimi i standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë drejtim, Bajrami kërkon një angazhim të koordinuar të institucioneve më të larta të Kosovës, përfshirë Presidencën, Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, në komunikimin me shtetet donatore të Dhomave të Specializuara dhe shtetet mike të Kosovës.
Rasti i Kroacisë si përvojë për t’u analizuar
Në propozimin e tij, Bajrami përmend edhe rastin e gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markač, të cilët fillimisht ishin dënuar në shkallë të parë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, por më 16 nëntor 2012 u liruan nga Dhoma e Apelit.
Sipas Bajramit, përvoja e këtij procesi duhet të studiohet në aspektin e vlerësimit të provave, përgjegjësisë individuale penale dhe argumenteve juridike që çuan në ndryshimin e vendimit në shkallën e dytë.
Ai nënvizon se kjo përvojë duhet të shërbejë si material për analizë juridike dhe jo si model që duhet kopjuar mekanikisht.
Bajrami: Beteja e ardhshme është juridike
Në përfundim të propozimit të tij, akademiku kërkon veprim të menjëhershëm institucional, duke theksuar se ekspertiza juridike duhet të angazhohet paralelisht me punën e ekipeve të mbrojtjes dhe pa rrezikuar respektimin e afateve procedurale.
Mesazhi i tij është se mbështetja për ish-krerët e UÇK-së duhet të shoqërohet me argumente profesionale, analiza të bazuara në prova dhe respektim të standardeve të drejtësisë ndërkombëtare.
“Lufta e UÇK-së duhet të mbrohet përmes së vërtetës historike, ndërsa pafajësia e të akuzuarve duhet të argumentohet përmes provave dhe standardeve të së drejtës penale”, theksohet në propozimin e akademikut Arsim Bajrami. Thirrja e tij vjen në një fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor në Hagë, kur vëmendja tashmë është orientuar drejt procedurës së apelit dhe argumenteve që do të paraqiten nga ekipet e mbrojtjes. Propozimi synon që Kosova ta zhvendosë fokusin nga reagimet politike drejt një angazhimi të organizuar juridik, me ekspertizë vendore dhe ndërkombëtare, duke ruajtur pavarësinë e procesit gjyqësor, transmeton rtk.










