BallinaAtdheuMbi 224 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2027, mbi...

Mbi 224 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2027, mbi 122 milionë për investime kapitale

-

Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2027 parasheh mbi 224 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, prej të cilave 122.4 milionë euro janë të dedikuara për investime kapitale. Modernizimi, pajisja me armatim bashkëkohor dhe fuqizimi i kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës mbeten ndër prioritetet kryesore. Ekspertët vlerësojnë se rritja e investimeve është e domosdoshme për përmbylljen e transformimit të FSK-së sipas standardeve të NATO-s.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë të përgjithshme prej 4.27 miliardë eurosh, ku një pjesë e konsiderueshme e mjeteve është orientuar drejt forcimit të sektorit të mbrojtjes. Ministrisë së Mbrojtjes i janë ndarë 224 milionë e 168 mijë e 705 euro, me synim zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe avancimin e mëtejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga kjo shumë, 122.4 milionë euro janë paraparë për investime kapitale, ndërsa 58.7 milionë euro për paga dhe shtesa. Kjo ndarje tregon orientimin drejt modernizimit të pajisjeve, sigurimit të armatimit të ri dhe zhvillimit të kapaciteteve operacionale të FSK-së.

Në një kohë kur sfidat e sigurisë po ndryshojnë vazhdimisht, investimet në mbrojtje konsiderohen thelbësore për ndërtimin e një force të aftë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja dhe për të përmbushur misionin e saj kushtetues dhe ligjor.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se nevojat për pajisje dhe armatim modern janë të vazhdueshme, pasi zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet në konceptet e luftimit kërkojnë përshtatje të vazhdueshme të kapaciteteve ushtarake.

Sipas tij, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sistemeve raketore, dronëve, mbrojtjes kundërajrore, sistemeve antiblind dhe mbrojtjes nga kërcënimet kibernetike.

Ibishi thekson se investimet e deritanishme po kontribuojnë në plotësimin e kapaciteteve të synuara të FSK-së dhe në përafrimin e saj me kërkesat moderne të mbrojtjes.

Në anën tjetër, profesori i gjeopolitikës dhe çështjeve të sigurisë, Dorajet Imeri, konsideron se Kosova po dëshmon përkushtim në fuqizimin e sektorit të mbrojtjes, duke tejkaluar pragun prej dy për qind të Bruto Produktit Vendor të ndarë për këtë sektor.

Megjithatë, sipas tij, Kosova ka një pozitë më specifike, pasi është në proces të ndërtimit të kapaciteteve ushtarake pothuajse nga fillimi.

Imeri vlerëson se investimet duhet të vazhdojnë me qëllim të përmbylljes së transformimit rrënjësor të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe krijimit të një ushtrie të ndërtuar në përputhje me standardet e NATO-s.

Me buxhetin e paraparë për vitin 2027, institucionet synojnë të vazhdojnë procesin e modernizimit dhe profesionalizimit të FSK-së, duke rritur aftësinë e saj për të përmbushur detyrat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Përderisa ekspertët vlerësojnë se shuma e ndarë nuk mund t’i mbulojë të gjitha nevojat afatgjata të ushtrisë, investimet kapitale prej mbi 122 milionë eurosh konsiderohen një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me aleatët e NATO-s, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Shqipëria, tregu kryesor për eksportet kosovare

0
Kosova ka importuar mbi 6.3 miliardë euro mallra gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar rritje prej 8.5 për qind krahasuar...