Gëzuar datëlindjen, miku im i dashur!
Nga: Dashnim HEBIBI
Ka njerëz që i takon rastësisht në jetë, ka të tjerë që i njeh përmes punës dhe angazhimeve, por ka edhe njerëz të rrallë që, me kalimin e viteve, bëhen pjesë e historisë sate personale. Të tillë janë njerëzit që nuk i mban pranë për interes, por për vlerat që bartin në shpirt. Njëri prej tyre është miku im i dashur, Përparim Sabriu, atdhetar i dëshmuar me rrënjë nga Struga, njeri i fjalës, i besës, i familjes dhe i një miqësie që i ka rezistuar kohës. Sot, në ditën e datëlindjes së tij, nuk mund të mos ndalem për t’i kushtuar disa rreshta një njeriu që meriton shumë më tepër se një urim të zakonshëm. Sepse disa njerëz nuk i uron vetëm për datëlindje, por i falënderon edhe për faktin se janë pjesë e jetës sate. Këtë datëlindje, Përparimin e urova në distancë. Ai, së bashku me bashkëshorten e tij, ndodhej në Singapor, duke u përgatitur për të vazhduar udhëtimin drejt Australisë, ku do të vizitojnë Perthin dhe Sidnein. Në fund të javës, do të jetë përsëri në Zvicër. Mijëra kilometra na ndanin, por largësia nuk e pengoi atë që të ma dhuronte buzëqeshjen e tij të sinqertë, atë buzëqeshje që e njoh prej më shumë se dy dekadash. Gjatë bisedës, ai shprehu mirënjohjen ndaj familjes së tij, e cila ia kishte përgatitur këtë udhëtim të bukur. Por, ajo që më preku veçanërisht ishte dëshira e tij që secili njeri shpirtmirë të ketë mundësinë ta shijojë jetën, të udhëtojë, ta njohë botën dhe të përjetojë bukuritë e saj. Kjo fjali më bëri të mendoj. Sepse madhështia e njeriut nuk matet vetëm me atë që arrin për vete, por edhe me atë që ua dëshiron të tjerëve. Të jesh i lumtur për të mirat e tua është bukur, por të dëshirosh që edhe të tjerët t’i përjetojnë ato, është shenjë e një shpirti të madh.

Përparimi është nga ata njerëz që nuk kanë nevojë të flasin shumë për atdhetarizmin e tyre, sepse atë e dëshmojnë me jetën, familjen dhe veprat e tyre.
I lindur dhe i lidhur shpirtërisht me Strugën, ai ka ditur ta ruajë dashurinë për rrënjët e veta edhe pse jetën e ndërtoi në Zvicër. Për të, Shqipëria nuk është vetëm një vend në hartë. Është kujtim, mall, identitet dhe pjesë e pandashme e qenies së tij. Vështirë të kalojë një muaj pa marrë rrugën drejt Shqipërisë. Kjo nuk është thjesht dëshirë për të udhëtuar, por një lidhje e thellë me vendin, njerëzit, gjuhën dhe kujtimet që e kanë formuar. Ai ka parë shumë vende të botës. Nga Japonia në Meksikë, nga kontinenti në kontinent, ka pasur rastin të njohë kultura, qytetërime dhe njerëz të ndryshëm. Por, sado larg të shkojë, rrënjët e tij mbeten aty ku kanë qenë gjithmonë. Sepse njeriu mund ta përshkojë botën, por nuk mund ta zëvendësojë vendin që e ka në zemër.
Familja, gjuha dhe tradita – amaneti që përcillet ndër breza
Një nga vlerat më të çmuara të Përparimit është familja e tij. Ai ka ndërtuar një familje të shëndoshë, ku gjuha shqipe, tradita, kultura dhe identiteti kombëtar nuk janë vetëm fjalë, por pjesë e përditshmërisë. Përparimi e kupton se ruajtja e kombit në mërgatë fillon në familje. Fillon me gjuhën që flasim në shtëpi, me historitë që ua tregojmë fëmijëve dhe me dashurinë që ua përcjellim për vendin e të parëve. Në këtë rrugëtim, një vend të veçantë zë edhe angazhimi i tij në LAPSH-in e Kantonit të Cyrihut, ku përkushtimi ndaj shkollës shqipe është një dëshmi e qartë e përgjegjësisë së tij kombëtare. Edhe fëmijët e tij ishin pjesë e shkollës plotësuese shqipe në Zvicër, në shkollën që mban emrin e madh të Naim Frashërit. Kjo është një dëshmi e bukur se atdhetarizmi nuk trashëgohet vetëm përmes fjalëve, por mbi të gjitha përmes shembullit. Nuk mjafton t’u themi fëmijëve se duhet ta duan Shqipërinë, Kosovën, Strugën dhe gjuhën shqipe. Duhet t’ua dëshmojmë këtë dashuri me sjelljet tona, me përkushtimin dhe me mënyrën se si jetojmë. Përparimi këtë e ka kuptuar mirë.
Njeri i punës, i fjalës dhe i besës
Përparimi është njeri që punon shumë. E njeh përgjegjësinë, e respekton punën dhe nuk i shmanget angazhimit. Por, ajo që e bën edhe më të veçantë është se, përkundër të gjitha obligimeve, gjen kohë për familjen dhe miqtë. Në ditët e sotme, ku shumë njerëz ankohen se nuk kanë kohë për askënd, Përparimi na dëshmon se koha për njerëzit e dashur nuk gjendet rastësisht, por krijohet nga vullneti dhe zemra. Ai është njeri i fjalës dhe i besës. Kur jep një fjalë, ajo ka peshë. Nuk ka nevojë për premtime të mëdha, sepse fjala e tij është zotim. Është i sjellshëm në punë, i respektueshëm në shoqëri, i matur në biseda dhe besnik në miqësi. Në një kohë kur fjala shpesh humbet vlerën e saj dhe premtimet bëhen pa përgjegjësi, është kënaqësi të kesh pranë një njeri që ende e konsideron fjalën si nder dhe besën si detyrim moral.

Mbi njëzet vjet miqësi – lumi ynë, librat dhe bisedat pa fund
Miqësia jonë ka mbi njëzet vjet. Nuk është ndërtuar mbi interesa, përfitime apo rrethana të përkohshme. Është një miqësi e kultivuar me respekt, mirëkuptim, sinqeritet dhe kohë.Ti sot, miku im, je në Singapor dhe po përgatitesh të vizitosh Australinë, ndërsa unë jam në Cyrih, pranë atij lumi ku ulemi shpesh dhe ku kemi kaluar aq shumë çaste të bukura. Sot kalova pranë tij, më kujtohen bisedat tona. Flasim për atdheun, familjen, bëmirësi, libra, për gjuhën shqipe, për artin, për kulturën, për vallen shqiptare, për atdhetarizmin, për njerëzit dhe për jetën. Biseda që ndonjëherë zgjasin me orë, por që asnjëherë nuk na duken të gjata. Lumi vazhdon të rrjedhë, vitet kalojnë, ndërsa kujtimet mbeten. Ndoshta kjo është një nga bukuritë e miqësisë së vërtetë: nuk ka nevojë për skena të mëdha, për fotografi të shumta apo për dëshmi publike. Mjafton një takim, një kafe, një bisedë e sinqertë dhe një buzëqeshje. E di se ndonjëherë bëjmë edhe shaka me vitet që po kalojnë. Pleqëria po na troket lehtë në derë, por ne nuk kemi pse të frikësohemi. Nëse kemi shëndet dhe e ruajmë këtë shpirt, edhe vitet e ardhshme do t’i kalojmë bukur. Dua që edhe në të ardhmen të ulemi sërish buzë atij lumi, të hapim një bisedë të re dhe të qeshim. Dhe kur një ditë të mbyllen perdet e jetës, ashtu siç mbyllet perdja në fund të një shfaqjeje teatrale, dua të besoj se do të na mbetet një pasuri që nuk e merr dot askush: kujtimi se kemi qenë njerëz të mirë, miq të sinqertë dhe se nuk e kemi tradhtuar fjalën e dhënë.
Një urim që vjen nga zemra
Miku im i dashur, Përparim!
E di se ndoshta do të më thuash: „Pse, o Dashnim, ti më njeh mua!“
Po, të njoh, miku im. Por unë besoj se njerëzit e mirë duhet të vlerësohen sa janë gjallë. Nuk duhet të presim ditën kur ata të mos jenë më mes nesh për të treguar se sa shumë kanë vlejtur. Mirësia duhet të thuhet, miqësia duhet të dëshmohet dhe respekti duhet të shprehet në kohën e duhur. Prandaj sot dua që edhe të tjerët ta dinë se kam një mik që e çmoj shumë. Një mik që e ka ruajtur atdheun në zemër, familjen pranë vetes, gjuhën shqipe në përditshmëri dhe besën në fjalën e tij. Të uroj shëndet të plotë, jetë të gjatë, lumturi dhe shumë udhëtime të tjera me bashkëshorten dhe familjen tënde. Shijoje Australinë, Perthin dhe Sidnein. Shijoje çdo ditë, çdo pamje dhe çdo çast, sepse jeta nuk matet vetëm me vitet që kalojnë, por me bukuritë që arrijmë të përjetojmë dhe me njerëzit me të cilët i ndajmë ato. Faleminderit që je ky njeri që je. Faleminderit për miqësinë, respektin dhe mbi njëzet vitet e sinqeritetit. Dhe, në fund, një dëshirë personale: uroj që Zoti të na japë shëndet e jetë, që edhe shumë vite të tjera të na gjejnë pranë atij lumi në Cyrih, duke folur për librat, atdheun, gjuhën shqipe dhe sigurisht se do të vije të flasim edhe për sukseset e mbesave e nipave tanë, ngase fëmijët po na rriten. Gëzuar datëlindjen, vëllacko! Qofsh gjithmonë me dritë në shpirt, me shëndet në trup, me dashuri në familje dhe me miq të sinqertë rreth vetes! Sepse pasuria më e madhe e njeriut është se sa zemra e kujtojnë me dashuri dhe sa njerëz mund të thonë: „Ky është mik i imi dhe jam krenar që e kam në jetën time!“ Zoti të bekoftë, Përparim së bashku me familje! Me shumë respekt dhe miqësi të sinqertë.










