Një kapitull i rëndësishëm i karrierës së Berat Gjimshitit në Bergamo është mbyllur, por lidhja me Atalantën mbetet e veçantë. Klubi italian ka organizuar një ceremoni emocionuese për të nderuar ish-kapitenin e Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin e tij në historinë e skuadrës zikaltër.
Edhe pse prej disa muajsh nuk është më pjesë e Atalantës, Berat Gjimshiti është rikthyer në Bergamo për të marrë një vlerësim të veçantë nga ish-klubi i tij. Në prag të sfidës europiane ndaj Kairatit, mbrojtësi shqiptar u prit me duartrokitje nga tifozët, të cilët nuk e kanë harruar kontributin e tij ndër vite. Presidenti i klubit, Antonio Percassi, e prezantoi Gjimshitin para tifozëve dhe i dorëzoi një pllakë përkujtimore, së bashku me fanellën e Atalantës që mbante numrin 334, pikërisht numrin e ndeshjeve të zhvilluara nga futbollisti shqiptar me këtë skuadër. Një moment plot emocione, që u shoqërua me thirrjet në kor të emrit të tij nga tifozët në stadium. Pas ceremonisë, Gjimshiti dha edhe një intervistë për kanalet zyrtare të klubit, ku nuk i fshehu emocionet për rikthimin në një ambient që e konsideron si shtëpinë e tij.
“Patjetër që është kënaqësi që kthehem këtu. Emocionet janë të mëdha. Siç e the edhe ti, kjo është shtëpia ime, ku kam përjetuar kaq shumë gjëra të bukura. Kam kaluar edhe momente të vështira, por në kujtesë mbeten kujtimet e bukura që kemi kaluar bashkë me tifozët, lojtarët dhe të gjithë ata që punojnë për Atalantën”, u shpreh mbrojtësi shqiptar.
Gjimshiti veçoi edhe momentet më të rëndësishme të aventurës së tij në Bergamo, duke përmendur debutimin në stadiumin e Atalantës dhe, mbi të gjitha, triumfin historik në Ligën e Europës.
“Momentet më të bukura janë debutimi në këtë stadium, kur isha 22 apo 23 vjeç. Padyshim, momenti më i madh i karrierës është fitorja e trofeut të Ligës së Europës dhe jam krenar që isha pjesë e këtij suksesi. Kam luajtur 334 ndeshje për Atalantën dhe është vërtet një numër i madh sfidash”, deklaroi ai.
Një histori 11-vjeçare, e kurorëzuar me trofe europian
Berat Gjimshiti iu bashkua Atalantës në vitin 2015 dhe, me përjashtim të dy huazimeve te Avellino dhe Benevento, mbajti veshur fanellën zikaltër deri në vitin 2026.
Gjatë kësaj periudhe, ai u shndërrua në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës bergamaske, duke regjistruar 334 paraqitje, 11 gola dhe 10 asistime. Shqiptari ishte një pikë referimi në repartin defensiv, duke përjetuar edhe aventurat e mëdha të Atalantës në kompeticionet europiane.
Kulmi i kësaj historie erdhi në vitin 2024, kur Atalanta triumfoi në finalen e Ligës së Europës ndaj Bayer Leverkusenit, me rezultatin e pastër 3-0. Gjimshiti ishte pjesë e atij suksesi historik, madje duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Një trofe që vulosi përjetësisht emrin e tij në historinë e klubit dhe një aventurë që, edhe pse ka përfunduar, vazhdon të kujtohet me respekt nga të dyja palët. Bergamo nuk e ka harruar Berat Gjimshitin dhe pritja e organizuar për të ishte dëshmia më e mirë e kësaj lidhjeje, transmeton abcnews.










