BallinaAtdheuShqiptarët e Luginës së Preshevës votojnë për përbërjen e re të Këshillit...

Shqiptarët e Luginës së Preshevës votojnë për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar

-

37.759 qytetarë me të drejtë vote, katër lista zgjedhore dhe 107 kandidatë në garë për 29 ulëset e institucionit që përfaqëson shqiptarët në Serbi.

Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës votojnë sot për të zgjedhur përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), institucionit që përfaqëson interesat e tyre në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.

Sipas të dhënave të publikuara, në Listën e Posaçme Zgjedhore janë të regjistruar 37.759 qytetarë shqiptarë me të drejtë vote. Në këtë proces zgjedhor garojnë katër lista, me gjithsej 107 kandidatë, të cilët synojnë të fitojnë 29 ulëset në përbërjen e re të Këshillit.

Sipas renditjes në fletëvotim, në garë janë:

  • LPD–PDSH, me bartës Shqiprim Musliun;
  • PD–LR, me bartës Sali Salihin;
  • PVD–AL, Partia për Veprim Demokratik;
  • APN, me bartës Levent Qazimin.

Këshilli rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh

Një nga ndryshimet kryesore të këtyre zgjedhjeve është rikthimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në përbërjen prej 29 anëtarësh, pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë.

Ky ndryshim është rezultat i të dhënave nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2022 dhe synon të reflektojë përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion.

Këshilli Kombëtar Shqiptar ushtron kompetenca publike në katër fusha me rëndësi të veçantë për komunitetin shqiptar: arsim, kulturë, informim dhe përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.

Përmes votës së tyre, qytetarët e tri komunave do të përcaktojnë përfaqësuesit që do ta udhëheqin këtë institucion për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Kurti u bën thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në votime

Në prag të procesit zgjedhor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në votime dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar rëndësinë e rikthimit të Këshillit në përbërjen prej 29 anëtarësh, duke përmendur njëkohësisht edhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Ai ka veçuar mbështetjen në fushën e arsimit përmes teksteve mësimore dhe bursave për nxënës e studentë, si dhe përkrahjen për kulturën dhe institucionet përfaqësuese shqiptare.

Në mesazhin e tij, Kurti ka rikujtuar edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.

Përfaqësimi për katër vitet e ardhshme

Rezultati i zgjedhjeve do të përcaktojë përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesit që do të kenë përgjegjësinë për trajtimin e çështjeve që lidhen me të drejtat kolektive të shqiptarëve në Serbi.

Pjesëmarrja e qytetarëve dhe rezultati përfundimtar do të jenë përcaktues për përbërjen e këtij institucioni, i cili për katër vitet e ardhshme do të ketë rol në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit shqiptar në tri komunat e Luginës së Preshevës./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

SPAK heton “Albanian Files”, Zhupa: Libri që mund ta çojë Ramën...

0
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas konfirmimit të nisjes së hetimeve nga SPAK për librin e saj “Albanian Files”, të cilin...