Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u promovua monografia “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve”, me autore Mimoza Hasani Pllanën, një vepër që dokumenton jetën, veprimtarinë shkencore dhe kontributin e jashtëzakonshëm të albanologut hungarez në studimin dhe afirmimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Promovimi u organizua nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve diplomatike, studiues, akademikë, botues dhe familjarë të Schütz-it, të cilët vlerësuan rëndësinë e kësaj monografie për kujtesën kulturore dhe historinë e albanologjisë.
Në mesin e të pranishmëve ishin ambasadori i Hungarisë në Kosovë, László István Dux, akademikët Bardh Rugova dhe Rexhep Ismajli, historiani dhe albanologu Krisztián Csaplár-Degovics, djali i studiuesit, Gergely Schütz, si dhe botuesi Bujar Hudhri.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori László István Dux theksoi rëndësinë e veprës dhe angazhimit të István Schütz-it, i cili për dekada kontribuoi në studimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Ai veçoi edhe mbështetjen që albanologu u kishte dhënë shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’80 dhe ’90, duke ruajtur lidhje të vazhdueshme me intelektualët kosovarë dhe duke ndihmuar në qarkullimin e librave shqip në periudha të vështira politike.
Njëkohësisht, ambasadori bëri të ditur se Ambasada e Hungarisë është duke bashkëpunuar me Komunën e Prishtinës për emërtimin e një rruge ose sheshi me emrin e István Schütz-it, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në marrëdhëniet ndërmjet dy popujve.
Monografia, e botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, sjell një pasqyrë të gjerë të veprimtarisë shkencore, letrare, përkthimore, mediatike dhe diplomatike të István Schütz-it (1923–2010). Përmes dokumenteve dhe burimeve të ndryshme, ajo ndriçon rolin e tij në zhvillimin e albanologjisë dhe në forcimin e lidhjeve kulturore shqiptaro-hungareze.
Autorja Mimoza Hasani Pllana, duke folur për procesin e realizimit të monografisë, tregoi se interesimi për jetën dhe veprën e Schütz-it lidhet edhe me përvojën e saj personale në Budapest dhe njohjen me kulturën hungareze. Ajo theksoi se qëllimi i këtij botimi është që vepra e albanologut të bëhet një burim i rëndësishëm referimi për studiuesit e gjuhës dhe letërsisë shqipe, historisë, përkthimit dhe marrëdhënieve kulturore e diplomatike.
Rëndësinë e këtij botimi e theksoi edhe akademik Bardh Rugova, i cili vlerësoi punën hulumtuese të autores dhe nevojën për dokumentimin e figurave që kanë kontribuar në historinë e albanologjisë.
“Ky libër e paguan një borxh”, u shpreh Rugova, duke nënvizuar se monografia e rikthen István Schütz-in në kujtesën shqiptare jo vetëm si një studiues të rëndësishëm, por edhe si një mik të sinqertë të shqiptarëve.
Ndërkaq, historiani dhe albanologu Krisztián Csaplár-Degovics vlerësoi karakterin shkencor të veprës, mbështetjen në burime arkivore dhe rëndësinë e trashëgimisë leksikografike të Schütz-it. Në këtë kontekst, ai veçoi edhe fjalorin e madh shqip-hungarisht, botimi i të cilit pritet së shpejti.
Akademik Rexhep Ismajli solli kujtime nga takimet dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me albanologun hungarez, duke veçuar pjesëmarrjen e tij në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Këto kujtime dëshmuan lidhjen e veçantë që Schütz kishte krijuar me studiuesit dhe institucionet shqiptare.
Në anën tjetër, botuesi Bujar Hudhri vlerësoi përkushtimin e autores në dokumentimin e jetës dhe veprës së albanologut, duke e cilësuar monografinë si një akt mirënjohjeje për kontributin e tij në afirmimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Një dimension të veçantë promovimit i dha edhe prania e djalit të albanologut, Gergely Schütz, i cili ndau me të pranishmit kujtime personale për të atin, duke përmendur librat, dorëshkrimet, udhëtimet e tij në Prishtinë dhe përkushtimin e palëkundur ndaj gjuhës shqipe. Ai shprehu mirënjohjen për autoren, duke e vlerësuar monografinë si një vazhdimësi të rëndësishme të përpjekjeve për ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë shkencore dhe njerëzore të babait të tij.
Promovimi i monografisë “István Schütz: Miku hungarez i shqiptarëve” përbën më shumë se një prezantim libri. Ai shënon një akt vlerësimi për një personalitet që ndërtoi ura të qëndrueshme mes kulturës shqiptare dhe asaj hungareze, duke dëshmuar se dashuria për gjuhën, dijen dhe kulturën mund të kapërcejë kufijtë dhe të mbetet e gjallë ndër breza. Përmes kësaj vepre, Mimoza Hasani Pllana sjell në vëmendje një figurë që meriton të zërë vendin e saj në kujtesën historike dhe kulturore shqiptare, transmeton rtk.










