Progres-Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton një kontrast mes vlerës së përgjithshme të pasurive të sekuestruara nga SPAK dhe shumave që lidhen drejtpërdrejt me korrupsionin në nivelet e larta të shtetit. Shëndetësia, tenderat e AKSHI-t dhe infrastruktura identifikohen si sektorët ku janë përqendruar hetimet për korrupsion.
Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri vijon të përballet me një sfidë të rëndësishme: rikuperimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar përmes veprimtarisë korruptive. Pavarësisht numrit të lartë të hetimeve dhe procedimeve të zhvilluara nga Strukturat e Posaçme, të dhënat e paraqitura në Progres-Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026 ngrenë pikëpyetje mbi rezultatet konkrete financiare të kësaj lufte.
Sipas shifrave të raportit, gjatë vitit 2025 vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara nga SPAK arriti në 45.4 milionë euro. Megjithatë, kur analiza përqendrohet te korrupsioni i nivelit të lartë shtetëror, shifrat paraqesin një panoramë tjetër.
Vetëm 1.2 milionë euro nga kjo shumë lidhen me procedimet që kanë në fokus korrupsionin në nivelet e larta të administratës dhe politikës. Ndërsa konfiskimet përfundimtare të lidhura me zyrtarë apo ish-zyrtarë të dyshuar për korrupsion kanë qenë rreth 100 mijë euro.
Një tjetër tregues që bie në sy është edhe rënia e numrit të vendimeve për konfiskimin e pasurive. Sipas Komisionit Evropian, nga 20 vendime të regjistruara një vit më parë, numri ka zbritur në vetëm 8 gjatë periudhës së fundit raportuese.
Tre sektorët nën vëzhgimin e Brukselit
Përveç treguesve financiarë, Progres-Raporti i vitit 2026 i kushton vëmendje të veçantë edhe sektorëve ku janë përqendruar hetimet dhe akuzat për korrupsion të nivelit të lartë.
Ndryshe nga formulimet më të përgjithshme të përdorura në raportin e mëparshëm, këtë herë Komisioni Evropian identifikon konkretisht tre fusha të ndjeshme të administratës publike.
Në fokus janë shëndetësia, veçanërisht koncesionet dhe prokurimet e mëdha spitalore; teknologjia e informacionit dhe komunikimit, ku përfshihen tenderat për sistemet digjitale të AKSHI-t; si dhe infrastruktura, me kontratat për ndërtimin e rrugëve, porteve dhe veprave të tjera publike.
Këto sektorë janë përmendur edhe në kuadër të hetimeve të SPAK-ut, të cilat kanë përfshirë procedura prokurimi, kontrata publike dhe zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës shtetërore.
Evidentimi i tyre nga Komisioni Evropian e zhvendos vëmendjen jo vetëm te identifikimi dhe ndëshkimi i personave përgjegjës, por edhe te mënyra se si janë administruar fondet publike dhe sa prej pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme arrijnë të rikthehen në shtet.
BE kërkon rezultate konkrete në rikuperimin e pasurive
Një prej mesazheve kryesore që përcillet nga raporti lidhet me nevojën për forcimin e mekanizmave të rikuperimit të aseteve kriminale. Përtej arrestimeve, hetimeve dhe dërgimit të dosjeve në gjykatë, rëndësi të veçantë merr aftësia e institucioneve për të identifikuar, sekuestruar dhe konfiskuar përfundimisht pasuritë që burojnë nga aktiviteti kriminal.
Në këtë kuadër, Komisioni Evropian vë theksin te përdorimi më efektiv i konfiskimit të zgjeruar dhe konfiskimit të bazuar në vlerë, mekanizma që synojnë të pamundësojnë mbajtjen e përfitimeve ekonomike të siguruara përmes veprimtarisë së paligjshme.
Shifrat e evidentuara në raport ngrenë kështu një çështje thelbësore për institucionet shqiptare: sa efektive është lufta kundër korrupsionit nëse hetimet dhe ndëshkimet nuk shoqërohen me rikuperimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme?
Për Shqipërinë, sfida e radhës nuk lidhet vetëm me numrin e dosjeve të hetuara apo të personave të vënë përpara drejtësisë, por edhe me rezultatet konkrete në rikthimin e parave dhe aseteve në interes të publikut. Sepse suksesi i luftës kundër korrupsionit nuk matet vetëm me atë se sa persona përfundojnë në bankën e të akuzuarve, por edhe me aftësinë e shtetit për të mos lejuar që përfitimet nga korrupsioni të mbeten në duart e atyre që i kanë siguruar në mënyrë të paligjshme, transmeton gshqiptare.










