Partia Socialiste pritet të mbledhë Asamblenë e Përgjithshme më 14 nëntor, në një moment të rëndësishëm politik për maxhorancën, e cila prej muajsh po përballet me presionin e protestave dhe zhvillime të shumta në skenën politike. Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama, po diskuton me bashkëpunëtorët e tij për zhvillimin e kësaj mbledhjeje, e cila pritet të shërbejë si një pikënisje për përcaktimin e prioriteteve politike dhe organizative të socialistëve në muajt në vijim. Në qendër të diskutimeve pritet të jetë përgatitja për zgjedhjet vendore të 9 majit, ku PS synon të ruajë dhe forcojë pozitat e saj në bashkitë e vendit. Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe situatës politike të krijuar nga protestat e opozitës, të cilat vijojnë pavarësisht rënies së pjesëmarrjes.
Një tjetër çështje me rëndësi pritet të jetë mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve socialistë për kryetarë bashkish. Pritet të shihet nëse Rama do të prezantojë një model të ri për identifikimin e kandidaturave fituese, si dhe nëse do të japë sinjale konkrete për emrin që mund të përfaqësojë PS-në në garën për Bashkinë e Tiranës.
Në këtë kontekst, vëmendja do të jetë edhe te qëndrimi që kryesocialisti do të mbajë për Erion Veliajn. Përplasja publike mes kryebashkiakut të Tiranës dhe Edi Ramës, pas transferimit të Veliajt në burgun e Fierit, ka shtuar pikëpyetjet mbi raportet mes tyre dhe të ardhmen politike të kësaj marrëdhënieje.
Po ashtu, nëse do të përfshihet në rendin e ditës, interes pritet të ngjallë edhe mocioni i Elisa Spiropalit, e cila ka kërkuar hapjen e Partisë Socialiste dhe ka hedhur idenë e një “Marrëveshjeje të Re për Shqipërinë”. Mbetet për t’u parë nëse kjo kërkesë do të marrë hapësirë në diskutimet e Asamblesë dhe si do t’i përgjigjet Rama.
Një tjetër pikëpyetje lidhet me mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Asambleja e shtatorit 2023 u përdor nga Rama për të njoftuar ndryshimin e gjysmës së kabinetit të tij. Për këtë arsye, nuk përjashtohet mundësia që edhe mbledhja e 14 nëntorit të shërbejë për sinjale apo vendime mbi përbërjen e qeverisë së katërt. Megjithatë, nëse do të ketë ndryshime ministrore apo riorganizim të strukturave drejtuese, mbetet një vendimmarrje që i takon ekskluzivisht kryeministrit. Asambleja e 14 nëntorit pritet kështu të jetë një test i rëndësishëm për Partinë Socialiste, jo vetëm për strategjinë e saj drejt zgjedhjeve vendore, por edhe për raportet e brendshme, përballjen me kundërshtitë politike dhe drejtimin që Edi Rama do t’i japë maxhorancës në vijim, transmeton TCH.










