Klubi katalanas ka njoftuar këtë të enjte, më 5 nëntor, se 29-vjeçari ka nënshkruar marrëveshjen e re, e cila do ta mbajë në Camp Nou deri më 30 qershor 2030.
Kontrata e mëparshme e sulmuesit ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2028, ndërsa marrëveshja e re ia zgjat qëndrimin edhe për dy sezone të tjera.
Raphinha po kalon një periudhë të jashtëzakonshme në karrierën e tij. Në vetëm 13 paraqitje gjatë sezonit 2026/27, braziliani ka realizuar 19 gola në të gjitha garat.
Prej tyre, 15 i ka shënuar në kampionatin spanjoll, ku kryeson listën e golashënuesve, ndërsa katër të tjerë në Ligën e Kampionëve.
Forma e tij ka qenë një ndër faktorët kryesorë në paraqitjet e Barcelonës, e cila synon të vazhdojë sukseset në futbollin spanjoll dhe atë evropian.
Sulmuesi brazilian iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2022, pas transferimit nga Leeds United.
Që nga ajo kohë, ai ka regjistruar 190 paraqitje zyrtare me fanellën e klubit katalanas, duke shënuar 94 gola.
Me këto statistika, Raphinha renditet i katërti ndër futbollistët brazilianë me më së shumti paraqitje në historinë e Barcelonës, si dhe i katërti për numrin e golave të realizuar.
Gjatë qëndrimit të tij në klub, ai ka fituar tri tituj të kampionit të Spanjës, një Kupë të Mbretit dhe tri Superkupa të Spanjës.
Raphinha është gjithashtu kapiten i Barcelonës, duke marrë një rol të rëndësishëm në skuadrën e drejtuar nga trajneri gjerman Hansi Flick.
Me këtë marrëveshje, drejtuesit e Barcelonës sigurojnë vazhdimësinë e njërit prej lojtarëve kryesorë të repartit ofensiv, në një periudhë kur skuadra po ndërton të ardhmen rreth futbollistëve që kanë dëshmuar formë dhe qëndrueshmëri.
Zyrtarizimi i kontratës së re vjen vetëm një ditë pas paraqitjes së shkëlqyer të Raphinhas në fitoren 3:0 ndaj Aston Villës në Ligën e Kampionëve, ku braziliani realizoi dy gola./BS










