BallinaDiasporaRama: Marrëveshja me Italinë për emigrantët do të vijojë

Rama: Marrëveshja me Italinë për emigrantët do të vijojë

-

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët do të vijojë të jetë në fuqi, duke theksuar se kjo çështje nuk lidhet thjesht me raportet mes dy vendeve, por me të ardhmen dhe sfidat me të cilat përballet vetë Bashkimi Europian.

Gjatë një interviste në kuadër të EuroNews Enlargement Summit, kreu i qeverisë shqiptare u ndal te marrëveshja për emigrantët, duke e cilësuar atë si një sfidë të rëndësishme për Europën dhe mënyrën se si ajo do të përballet me fenomenin e migracionit. Sipas Ramës, forcimi i kufijve nuk është një zgjidhje që mund ta zhdukë këtë problem, për sa kohë që emigracioni vijon të përdoret edhe për qëllime politike nga parti të ndryshme.

“Marrëveshja do të qëndrojë për aq kohë sa ajo do të jetë në krye të Italisë. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë, Malin e Zi apo me këdo që vjen pas. Ka të bëjë me vetë BE-në, me atë se çfarë është Europa dhe çfarë kërkon të jetë”, u shpreh Rama, duke iu referuar kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Ai e përshkroi emigracionin si një sfidë qytetërimi, që kërkon një qasje më të guximshme nga Bashkimi Europian, në një kohë kur bota po përjeton ndryshime të mëdha politike dhe gjeopolitike.

Një tjetër çështje e rëndësishme e intervistës ishte procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian. Rama kërkoi që të gjitha vendet kandidate të përfshihen në tryezën europiane, ndërsa përcaktimi i anëtarësimit të bëhet më pas mbi bazën e meritës dhe përmbushjes së kritereve.

Sipas tij, Europa duhet të tregojë vullnet politik dhe të mos i mbajë vendet aspirante jashtë procesit të integrimit, duke u dhënë mundësinë të jenë pjesë e tryezës ku diskutohen çështjet dhe vendimmarrjet europiane.

“Proces i bazuar në meritë, por rreth tryezës. Duhet të jemi rreth tryezës dhe më pas duhet të kalojmë në procesin e meritës. Të gjithë meritojnë që të jenë në tryezën e meritës”, deklaroi kryeministri.

Për të ilustruar qëndrimin e tij, Rama përdori një metaforë, duke krahasuar vendet kandidate me fëmijë që nuk duhet të lihen jashtë shtëpisë europiane.

“Prandaj na merrni në shtëpi dhe keni gjithë kohën që të na jepni dru, të na ndëshkoni. Këtë duhet të bëjë Europa, nuk duhet të na lini në lagje”, tha ai.

Në përfundim, Rama theksoi se Shqipëria do të vijojë të luftojë për integrimin europian, pavarësisht pengesave dhe kohës që mund të kërkojë ky proces. Mesazhi i tij ishte i qartë: zgjerimi i BE-së duhet të shoqërohet me guxim politik, përfshirje të vendeve kandidate dhe një proces anëtarësimi të bazuar në meritë, transmeton abcnews.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Trump njofton fundin e ndihmës së rregullt ushtarake për Izraelin: “Nuk...

0
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se Uashingtoni do të ndërpresë në fund të këtij viti ndihmën e rregullt...