Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Berlin (Berlin Security Conference), ku është ftuar si panelist në një debat të nivelit të lartë që trajton kërcënimet nga ndërhyrjet ruse dhe sfidat e sigurisë në Evropë. Debati, me temën “Parandalimi përmes vigjilencës: Si të frenohet ndërhyrja ruse”, mblodhi përfaqësues të lartë të NATO-s dhe Gjermanisë, me të cilët ministri Maqedonci diskutoi mbi ndikimin rus, zhvillimet aktuale të sigurisë evropiane dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet aleatëve dhe partnerëve strategjikë.
Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e vigjilencës dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e kërcënimeve që vijnë nga ndërhyrjet e jashtme, si dhe domosdoshmëria e forcimit të mekanizmave të përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë.
Përmes një postimi, Maqedonci bëri të ditur se pjesëmarrja në këtë konferencë përbën një mundësi të rëndësishme për të diskutuar sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe për të riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe në dhënien e kontributit aktiv për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë.
Pjesëmarrja e ministrit Maqedonci në këtë forum ndërkombëtar vë në pah rëndësinë që Kosova i kushton çështjeve të sigurisë dhe bashkëpunimit me aleatët në përballjen me sfidat e reja gjeopolitike dhe të mbrojtjes në Evropë./BS










