Protesta e studentëve vijon për të 21-ën ditë radhazi, ndërsa thirrjet për bojkotimin e procesit mësimor dhe zgjerimin e lëvizjes protestuese janë intensifikuar në disa fakultete të vendit.
Të rinjtë kanë nisur ditën e sotme me një aksion mobilizues në ambientet e Universitetit të Arteve, ku u janë drejtuar studentëve me thirrjen “Bashkohuni me ne!”. Protestuesit kanë kërkuar ndërprerjen e mësimit dhe bashkimin e studentëve në protestën që vijon prej 21 ditësh. Pas Universitetit të Arteve, grupi i protestuesve është zhvendosur drejt Fakultetit të Drejtësisë, ku kanë vijuar thirrjet për mobilizim studentor. Krahas kërkesës për bojkotimin e mësimit, një prej mesazheve kryesore të protestuesve ka qenë edhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, studentët kanë bojkotuar procesin mësimor, duke u larguar nga auditorët dhe duke iu bashkuar marshimit protestues. E njëjta situatë është raportuar edhe në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Shkencave të Natyrës, ku studentët kanë braktisur mësimin në shenjë kundërshtimi. Gjatë marshimit në ambientet universitare, protestuesit kanë shoqëruar lëvizjen e tyre me slogane dhe thirrje politike, mes të cilave “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Bashkohuni me ne”, “Erdhën studentët” dhe “Poshtë patronazhistët”. Në ditën e 21-të të protestës, studentët vijojnë përpjekjet për të zgjeruar pjesëmarrjen dhe për të përfshirë sa më shumë fakultete në bojkotimin e procesit mësimor. Lëvizja protestuese vijon të mbajë të pranishme kërkesat dhe sloganet e saj, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet mobilizimi në ditët në vijim, transmeton euronewsal.










