As-i argjentinas ishte protagonisti kryesor në fitoren e Inter Miamit 2-1 ndaj New England Revolutionit, në kuadër të sezonit 2026 në MLS.
Në moshën 39-vjeçare, Messi dëshmoi sërish klasën e tij, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbysjen e rezultatit dhe duke realizuar një gol të jashtëzakonshëm. Pasi Inter Miami ishte në disavantazh, kapiteni argjentinas fillimisht asistoi për German Berteramen, i cili në minutën e 69-të realizoi golin e barazimit. Por momenti kulmor i ndeshjes erdhi në minutën e 83-të, kur Messi mori përsipër gjithçka dhe realizoi një aksion individual spektakolar. Duke marrë topin në gjysmën e fushës kundërshtare, argjentinasi u përball me tre futbollistë të New Englandit. Me teknikën dhe shpejtësinë e tij karakteristike, ai arriti t’i kalonte kundërshtarët, madje duke e dërguar topin mes këmbëve të njërit prej tyre.
Pas një kombinimi me bashkëlojtarin, Messi u pozicionua për goditje dhe me saktësi e dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur fitoren 2-1 të Inter Miamit. Ky realizim ishte goli i 937-të në karrierën profesionale të tetë herë fituesit të Topit të Artë, një tjetër shifër mbresëlënëse në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Megjithatë, vetë Messi nuk duket se është i përqendruar te rekordet personale.I pyetur pas ndeshjes për numrin e golave të realizuar, ai u shpreh se nuk e kishte në vëmendje këtë statistikë. “Uau, vërtet? Jo, nuk jam duke ndjekur asgjë. Gjithmonë them se këto rekorde nuk më interesojnë shumë. Dua vetëm t’i shijoj ndeshjet”, deklaroi Messi. Edhe një herë, ylli argjentinas tregoi se mbetet vendimtar për Inter Miamin, duke dëshmuar se magjia e tij në fushën e futbollit nuk njeh moshë./BS










