BallinaEKSKLUZIVEPesë muaj protestë në Milano, Tirana vazhdon të heshtë

Pesë muaj protestë në Milano, Tirana vazhdon të heshtë

-

Nga Dritan Zoto, Itali

Shqiptarët në protestë, kryeministri i ngujuar në heshtjen e tij. Katër muaj protesta të komunitetit shqiptar në Milano në mbështetje të qytetarëve që kërkojnë llogaridhënie dhe demokraci në Shqipëri

MILANO, 01 nëntor 2026 – Edhe të dielën, më 1 nëntor 2026, komuniteti shqiptar në Milano u mblodh në protestë, duke vijuar një qëndresë qytetare që tashmë zgjat prej pesë muajsh. Një protestë e përjavshme, e qetë dhe paqësore, por me një mesazh të qartë: solidaritet me qytetarët në Shqipëri dhe kundërshtim ndaj çdo forme të shtypjes së lirive demokratike. Autoritetet vendore italiane kishin dhënë lejen për zhvillimin e manifestimit në sheshin 25 Prilli, një hapësirë me simbolikë të veçantë për historinë e Italisë. Pikërisht më 25 prill përkujtohet çlirimi i vendit nga regjimi fashist. Kjo datë nuk është thjesht një kujtesë historike, por edhe një thirrje për reflektim. Historia përsëritet në forma dhe trajta të ndryshme, ndaj qëndresa qytetare mbetet e domosdoshme për të mos lejuar rikthimin e sistemeve shtypëse dhe për të nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës.

Mërgata shqiptare në Itali ka qenë dhe vazhdon të jetë pranë protestave në Shqipëri.

Në këto momente vendimtare, vëmendja dhe shqetësimi ynë janë përqendruar te vendi ynë. Shqipëria po përballet me një krizë të thellë besimi ndaj klasës politike në pushtet. Liria e shprehjes, e drejta për të protestuar dhe të drejtat demokratike janë vënë vazhdimisht në provë gjatë 35 viteve të tranzicionit. Ngjarjet e dy javëve të fundit kanë shtuar shqetësimin për mënyrën se si po trajtohen protestat qytetare. Pamjet e përdorimit të shkopinjve të gomës, të tërheqjeve zvarrë në asfalt, të ndalimeve policore, të gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës, si dhe raportimet për protestues të plagosur rëndë, kanë tronditur opinionin publik.

Përballë këtyre pamjeve lind një pyetje e pashmangshme: a është kjo mënyra se si një shtet demokratik duhet të komunikojë me qytetarët e tij?

Ironia bëhet edhe më e dukshme kur kujtojmë se gjatë verës, në kohën kur vendi përfshihej nga zjarret, shërbimet zjarrfikëse përballeshin me mungesë mjetesh për të përballuar situatën. Ndërkohë, pamjet e ditëve të fundit tregojnë një polici të pajisur me autobotë dhe mjete të posaçme për menaxhimin e protestave. Ky kontrast ngre pikëpyetje serioze mbi prioritetet e shpenzimeve publike dhe mënyrën se si përdoren fondet shtetërore. Dëshmitë e bashkëprotestuesve që ndodheshin në Tiranë fundjavën e kaluar flasin për një atmosferë tensioni dhe skena të rënda në rrugët e kryeqytetit. Këto rrëfime e shtojnë shqetësimin e shqiptarëve jashtë vendit për gjendjen në atdhe. Një rend demokratik nuk mund të mbështetet te represioni për të ruajtur pushtetin. Pushteti nuk është një privilegj hyjnor dhe as një pronë personale që mund të merret me vete në botën tjetër. Duket sikur në korridoret e pushtetit ka zënë vend parimi i famshëm i Luigjit XV: «Après moi, le déluge» – pas meje, qameti. Por një shtet nuk mund të funksionojë mbi logjikën se gjithçka duhet të sakrifikohet për mbijetesën politike të një individi apo të një grupi në pushtet.

Protesta jonë nuk është partiake dhe nuk ka interesa përfitimi

Ajo është një akt solidariteti me qytetarët shqiptarë që kërkojnë të drejtat e tyre. Përvoja e 35 viteve të tranzicionit na ka mësuar të jemi të kujdesshëm. Shumë herë partitë politike i kanë përdorur protestat për interesat e tyre, ndërsa kërkesat e qytetarëve janë lënë në harresë sapo është arritur objektivi politik i radhës. Nuk duam të bëhemi sërish pjesë e një cikli zhgënjimi. Nuk duam që energjia qytetare të shfrytëzohet për të ndërruar vetëm emrat e atyre që qëndrojnë në pushtet. Kërkesa jonë është për ndryshim të mënyrës së qeverisjes, për institucione të përgjegjshme dhe për respektimin e të drejtave themelore. Ndërkohë, në skenën politike dëgjohen gjithnjë e më shpesh thirrje për dialog. Kryeministri shfaqet në komunikime publike dhe mesazhe të gjata, duke kërkuar dialog me kundërshtarët. Por dialogu nuk mund të jetë një monolog i pafund. Ai kërkon dëgjim, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, veprime konkrete. Në politikë, fjalët kanë rëndësi, por janë vendimet dhe veprimet ato që përcaktojnë besueshmërinë e një qeverie. Edhe zhvillimet parlamentare të ditëve të fundit, të shoqëruara me tensione dhe tymuese të opozitës, kanë shtuar debatet mbi funksionimin e institucioneve. Miratimi i ligjeve dhe i paketave ligjore mes përplasjeve politike, me votime që shpeshherë duken si formalitete, ngre pikëpyetje mbi cilësinë e debatit parlamentar dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve të zgjedhur. Deri më tani, nuk kemi parë dorëheqje në nivelet e larta të administratës dhe të përfaqësimit politik, të cilat do të shënonin një reflektim institucional për situatën e krijuar. Përpjekjet për të paraqitur një realitet tjetër nuk mund ta zëvendësojnë përballjen me problemet. E drejta për të provuar të bindësh qytetarët është legjitime, por askush nuk mund t’i detyrojë ata të besojnë pa parë prova konkrete të ndryshimit.

Shqipëria po përballet edhe me një sfidë tjetër të madhe: largimin e qytetarëve dhe humbjen e besimit te e ardhmja.

 Shumë shqiptarë nuk e shohin më vendin si një hapësirë ku mund të ndërtojnë jetën, familjen dhe të ardhmen e tyre. Politikat që nuk garantojnë drejtësi, barazi mundësish dhe institucione funksionale e thellojnë këtë largim. Protestat e lira kanë nxjerrë në pah një pakënaqësi që nuk mund të fshihet me komunikime publike apo deklarata politike. Ato kanë treguar se qytetarët duan të dëgjohen dhe se nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga e drejta për të kërkuar llogari. Komuniteti shqiptar në Milano do të vazhdojë të protestojë çdo të diel, me dinjitet, paqësisht dhe pa u rreshtuar pas interesave të asnjë partie politike. Qëndresa jonë është një mesazh për Shqipërinë, por edhe për Evropën: demokracia nuk mbrohet vetëm në ditët e festave historike, por çdo ditë, përmes respektimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Koha ka ardhur që shqiptarët të marrin fatin e tyre në duart e veta. Jo përmes hakmarrjes, jo përmes dhunës, por përmes ndërgjegjësimit, pjesëmarrjes qytetare dhe kërkesës për institucione që u shërbejnë njerëzve dhe jo pushtetit.

Arroganca politike nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm dhe asnjë qytetar nuk duhet të ndihet i huaj në vendin e vet.

Shqiptarët presin një Nëntor të Tretë – një ditë simbolike të çlirimit nga frika, padrejtësia dhe një tranzicion që duket se nuk mbaron kurrë. Një ditë kur shpresa për një Shqipëri demokratike, të lirë dhe me dinjitet të bëhet realitet.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Shqipëria përgatitet për Eurobondin më të madh në histori, në vitin...

0
Shqipëria pritet t’u rikthehet tregjeve financiare ndërkombëtare në vitin 2027, përmes emetimit të një Eurobondi me vlerë rreth 690 milionë euro. Nëse realizohet sipas...

Vonë