Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës, me të cilat ka diskutuar për avancimin e të drejtave të grave dhe fuqizimin e agjendës për barazi gjinore. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit janë diskutuar përparësitë e agjendës gjinore parlamentare, hartimi i ligjeve nga perspektiva gjinore, si dhe fuqizimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit në zbatimin e tyre.
Ajo ka shprehur përkushtimin që gjatë kësaj legjislature të punohet më tej në avancimin e kësaj agjende, në bashkëpunim me organizatat e grave.
Postim i plotë:
Ishte kënaqësi t’i mirëprisja sot përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës, gra me të cilat ndajmë një përkushtim të gjatë për barazinë gjinore dhe avancimin e të drejtave të grave.
Biseduam për përparësitë e agjendës gjinore parlamentare, hartimin e ligjeve nga perspektiva gjinore dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit në zbatimin e tyre.
Shpreha vullnetin dhe përkushtimin tim që gjatë kësaj legjislature ta çojmë më tej këtë agjendë, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e grave, duke u siguruar që barazia gjinore të zërë vendin që i takon në punën dhe vendimmarrjen e Kuvendit.
E çmoj veçanërisht punën shumëvjeçare të Rrjetit dhe të 106 organizatave anëtare, si dhe këmbënguljen e tyre për t’i kthyer të drejtat e garantuara me ligj në të drejta që gëzohen në jetën e përditshme./BS










