Prishtinë, 11 tetor 2026 – Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses Kursin për Mbrojtje të Afërt, të realizuar në kuadër të Planit të Bashkëpunimit Dypalësh në Fushën e Mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë.
Kursi u zhvillua nga instruktorë të certifikuar të Policisë Ushtarake të FSK-së, në bashkëpunim me instruktorë të Policisë Ushtarake Gjermane, duke mundësuar zbatimin e standardeve të larta profesionale dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes së afërt.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit iu nënshtruan kritereve të larta të përzgjedhjes dhe kërkesave të shtuara profesionale, me fokus në avancimin e aftësive dhe përgatitjen për përmbushjen e detyrave operative.
Programi i trajnimit përfshiu disa fusha kyçe, ndër të cilat qitjen me armë, teknikat e vetëmbrojtjes, vozitjen emergjente, taktikat e lëvizjes dhe formacionet, si dhe përgatitjen fizike dhe psikologjike. Krahas këtyre moduleve, u realizuan edhe aktivitete të tjera praktike, të përshtatura me natyrën dhe përgjegjësitë e detyrave në kuadër të mbrojtjes së afërt.
Përfundimi me sukses i këtij kursi shënon një hap të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë Ushtarake të FSK-së, duke kontribuar në rritjen e gatishmërisë dhe përmbushjen efektive të detyrave që lidhen me mbrojtjen e afërt.
Në të njëjtën kohë, ky aktivitet dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në fushën e mbrojtjes, veçanërisht në shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e aftësive profesionale dhe avancimin e standardeve të trajnimit.
Bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë mbetet një element i rëndësishëm në procesin e zhvillimit dhe modernizimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, transmeton rtk.










