Shqipëria dënon sulmin e fundit të grupit Huthi ndaj aeroportit të Riadit në Arabinë Saudite, që la të paktën 12 viktima dhe më shumë se 300 të plagosur.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se sulmet e përsëritura nga rebelët Huthi përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal.
“Shqipëria dënon në termat më të fortë sulmin e fundit me pasoja në jetë njerëzish të grupit Huthi kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite. Sulmet e përsëritura nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal, rrezikojnë jetën e civilëve dhe minojnë përpjekjet për të nxitur paqen dhe sigurinë në rajon”, shkruan Hoxha.
Hoxha nënvizoi se nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, duke kërkuar që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.
Në reagimin e tij, kryediplomati shqiptar u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe solidaritetin e plotë të Shqipërisë me popullin dhe autoritetet e Arabisë Saudite.
“Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi. U shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe solidaritetin tonë të plotë me popullin dhe autoritetet e Arabisë Saudite”, shkruan Hoxha./BS










