NGA: CHAÏMAE BLILETE
(Universiteti Sidi Mohammed Ben Abdellah
Fakulteti Polidisiplinor – Taza)
-Përmbledhje
Ky artikull shqyrton kalimin që bën Ahmed Sefrioui nga La Boîte à merveilles (Kutia e çudirave) te La Maison de servitude. Ai tregon se si udha e Ahmedit, një student ëndërrimtar dhe të vetmuar, lëkundet mes ëndërrimit shpirtëror dhe kërkesave të realitetit, dhe se si struktura rrëfimtare, fillimisht lineare e më pas ciklike, e shpreh këtë tension. Artikulli mbyllet me pyetjen se si u prit vepra në dritën e Le Passé simple (E shkuara e thjeshtë) e Chraïbit?
Fjalë kyçe: Sefrioui, shpirtëror, ëndërr, rrëfim, Fesi, letërsia magrebine në gjuhën frënge.
-Hyrje
Kalimi nga La Boîte à merveilles te La Maison de servitude shënon një tranzicion të dukshëm, që prek normat e romanit dhe pasqyron anën shpirtërore të autorit. Besnik ndaj lidhjes së tij emocionale me qytetin shpirtëror, Sefrioui e çon lexuesin në medinën e Fesit: “Qyteti shtrihet te këmbët e mia. E shoh nga kodra. I pamatë është qielli mbi këtë luginë paqeje.“
Ky udhëtim zhvillohet mes ëndrrës dhe meditimit.
1. Mes ëndrrës dhe realitetit: figura e rrëfimtarit-ëndërrimtar
Ashtu si fëmija-rrëfimtar i La Boîte à merveilles, rrëfimtari kërkon të dijë për ta kuptuar më mirë botën e të rriturve. Në gjurmët e El Fachtalit, (teolog), udha e Ahmedit si student shënohet nga ëndrra, shpirtërorja dhe meditimi. Por çfarë të zgjedhë mes ëndrrës dhe realitetit, mes pasivitetit dhe vullnetit për të vepruar, në një vend që ka vuajtur kaq shumë nga shtypja koloniale? Rrëfimtari e denoncon këtë qartë përmes zërit të Maatit: “ky vend, i shtypur nga kolonializmi, uria, dhimbja dhe ankthi, nuk mund t’u japë strehë ëndërrimtarëve, poetëve apo mbeturinave. Ti largohesh nga realiteti për t’u strehuar në ëndrrat e tua pa konsistencë. Koha e ëndërrimit ka mbaruar.“
Kjo vërejtje nënvizon realitetin shoqëror të vendit dhe mënyrën se si rrëfimtari reagon ndaj tij: realitetit nuk mund t’i ikësh, dhe ëndrra nuk është ilaç për dëmet e shkaktuara nga kolonizatori.
2. Një kohë dhe një hapësirë “fiksimi“
Koha dhe hapësira e veprës shpesh marrin pamjen e një “fiksimi“. Rrëfimtari është i përndjekur nga kujtimet dhe ëndrrat: “Auditori është i magjepsur. Imagjinata ime ende nëpër kopshtet e kënaqësisë, të premtuara besimtarëve që bëjnë të mirën dhe denoncojnë të keqen. ‘‘Huritë’’ më marrin në një vorbull aromash dhe shpërthimesh së qeshuri. Nuk e dëgjoj më Si Abderrahman Fechtalin. Largohem nga hija e butë e xhamisë së madhe, largohem nga bota dhe zhurmat e saj.“
Në vend që të përqendrohet te mësimi i profesorit, personazhi ëndërron në mes të seancës dhe zhytet në ëndërrimet e tij të vetmuara.
3. Shkrimi, leximi dhe kufijtë e rrëfimit
La Maison de servitude na fton të ngremë pyetje mbi marrëdhënien mes shkrimit dhe leximit në veprën e Sefriouit, domethënë mes veprës si krijim letrar dhe veprës si projekt leximi dhe rishkrimi, i nënshtruar pyetjeve kritike. Gérard Genette hedh dritë mbi këtë: në fushën e shprehjes letrare, rrëfimi përcaktohet si “paraqitja e një ngjarjeje ose e një vargu ngjarjesh, reale ose fiktive, nëpërmjet gjuhës, e veçanërisht gjuhës së shkruar.“
Ky përcaktim pozitiv, i zakonshëm, ka meritën e dukshmërisë dhe të thjeshtësisë, por mangësia e tij kryesore është se na mbyll brenda kësaj dukshmërie: ai fsheh atë që, në vetë qenien e rrëfimit, është problematike dhe e vështirë, duke fshirë kufijtë e ushtrimit të tij dhe kushtet e ekzistencës së tij. Të përcaktosh rrëfimin në mënyrë pozitive do të thotë t’i japësh besueshmëri, “ndoshta në mënyrë të rrezikshme“, idesë se rrëfimi kuptohet vetvetiu dhe se asgjë nuk është më natyrale sesa të tregosh një histori në një mit, një përrallë, një epope ose një roman.
Rrëfimi është kështu një hapësirë fiktive e lidhur ngushtë me hapësirën reale.
Në vepër, rrëfimi pëson një kalim mes dy pjesëve: linear në “epokën“ e parë, ai bëhet “ciklik“ në të dytën, me një kthim te vetvetja. Romani pasqyron trazimin e një rrëfimtari të copëtuar mes ëndrrave dhe impulseve, dhe e bën rrëfimin bartës të një çekuilibri emocional, veçanërisht të ndjeshëm në “epokën“ e dytë.
4. Kërkimi i së vërtetës shpirtërore dhe dinjiteti i dijes
Fundi i veprës shpreh një kërkim të së vërtetës shpirtërore, në përfundim të të cilit personazhi çlirohet nga mbyllja që simbolizon “Shtëpia e Robërisë“. Shpirti çlirohet vetëm përmes punës mbi vetveten, kusht i lirisë fizike dhe psikike, çka kërkon shkëputjen me botën magjike: “Mohammed, ti je një i vetmuar… shumicën e kohës e ëndërron gjatë mësimeve, e ëndërron kur i rishikon; është koha të merresh me detyra konstruktive. Mbaroi koha e lutjes, vazhdon ai; kemi hyrë në periudhën kur secili, popull a individ, duhet ta farkëtojë fatin e vet pa goditje thike apo me grushta.“
Ëndrra nuk duhet ta errësojë realitetin: për të ndryshuar fatin, duhet ta kthesh ëndrrën në realitet, përmes shkencës, punës dhe qëndrueshmërisë. Dialogu në vijim e ilustron këtë: i thirrur “fqih“, rrëfimtari përgjigjet se është ende vetëm një “taleb“, fjalë që do të thotë lypës. Bashkëbiseduesi i tij e pyet nëse vërtet është një lypës i dijes dhe përfundon: “Të lypësh, qoftë edhe dijen, nuk është nder; është një mënyrë të qenuri.“Në këtë kërkim të kuptimit shpirtëror, nderi duhet ta shoqërojë gjithë udhëtimin drejt së vërtetës: shkenca dhe dija kërkojnë mënyra të qenuri dhe të vepruari, dhe rruga e tyre duhet ndjekur me dinjitet, pasion dhe durim.
Përfundim
Në të dyja veprat e Sefriouit, itinerari i një personazhi ëndërrimtar dhe të vetmuar zhvillohet në një hapësirë që simbolizon shpirtëroren: medinën e Fesit dhe xhaminë Al Quaraouyine, një nga universitetet më të vjetra. Aty rrëfimtari ndjek një rrugë të shënuar nga shpirtërorja dhe fisnikëria e dijes. Por mes shkrimit etnografik dhe shkrimit subversiv lind një botë kritikash dhe polemikash. La Boîte à merveilles e Sefriouit dhe Le Passé simple i Chraïbit u botuan në të njëjtin vit, 1954, në origjinat e letërsisë magrebine në gjuhën frënge. Cilat janë, pra, pikat e tyre të konvergjencës dhe të divergjencës, dhe cili ishte reputacioni i tyre te intelektualët dhe kritikët?
1. Mësuese e shkollës së mesme, doktoreshë në letërsinë marokene të shprehjes frënge, poete dhe përkthyese, anëtare e komitetit redaktues – Revista Arab Translation, Berlin.
2. SEFRIOUI, Ahmed. La Maison de servitude. Marsam, 2000, f. 49 (version dixhital).
3. SEFRIOUI, Ahmed. La Boîte à merveilles. Seuil, 1954, vep. cit. f. 64.
4. Po aty, f. 29.
5. GENETTE, Gérard. „Frontières du récit“, Figures II. Seuil, 1969, f. 49.
6. SEFRIOUI, Ahmed. La Maison de servitude. Marsam, 2000, f. 64.
7. Po aty, f. 14.
(Përktheu: Angela Kosta)










