BallinaAtdheuKurti kërkon integrim më të madh ndërkombëtar: Anëtarësimi në Këshillin e Evropës...

Kurti kërkon integrim më të madh ndërkombëtar: Anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe Interpol mbetet prioritet

-

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e integrimit më të madh ndërkombëtar të vendit, duke vënë në pah përfitimet që do të sillte anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (Interpol).

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë ceremonisë së hapjes së edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Akademisë Diplomatike të Kosovës.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Qeverisë vlerësoi se Kosova, përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, ka arritur të kalojë nga sfidat fillestare të ndërtimit të shtetit drejt një pjesëmarrjeje më aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, kemi kaluar nga sfidat fillestare të ndërtimit të shtetit drejt shtetndërtimit në një pjesëmarrës aktiv në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se, ndonëse procesi i integrimit evropian po vazhdon dhe qytetarët e Kosovës tashmë përfitojnë nga udhëtimi pa viza në zonën Shengen, integrimi i mëtejshëm ndërkombëtar mbetet i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Sipas Kurtit, anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave themelore.

Ndërkaq, anëtarësimi në Interpol, sipas tij, do të forconte bashkëpunimin e institucioneve të zbatimit të ligjit me policitë e vendeve të tjera, duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit dhe reagimin ndaj krimit ndërkufitar.

Ahmeti: Kosova ka shënuar transformim në diplomaci

Në këtë aktivitet, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, foli për zhvillimin e diplomacisë kosovare dhe ndryshimin e rolit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Ai kujtoi periudhën kur Kosova ishte nën administrimin ndërkombëtar, duke theksuar se sot vendi përfaqësohet në botë përmes rrjetit të misioneve diplomatike dhe konsullore.

“Jo shumë kohë më parë, ne ishim një popull që jetonim nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe shumë organizatave e misioneve të tjera ndërkombëtare, një pjesë e madhe e botës ishte e pranishme këtu. Sot, Kosova është vetë e pranishme në mbarë botën, përmes më shumë se 50 misioneve diplomatike dhe konsullore në mbi 30 vende të botës”, tha Ahmeti.

Sipas tij, ky transformim përbën një dëshmi të rrugëtimit të Kosovës drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe të përfaqësimit të interesave të saj përmes diplomacisë.

Akademia Diplomatike synon përgatitjen e diplomatëve të rinj

Drejtoresha e Akademisë Diplomatike të Kosovës, Mirjeta Behluli, vlerësoi rëndësinë e Shkollës Diplomatike si një platformë për përgatitjen profesionale të diplomatëve të rinj, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të reja.

Ajo theksoi se Akademia ka përgjegjësinë institucionale për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve të zyrtarëve të shërbimit të jashtëm dhe për të avancuar aftësitë e tyre profesionale.

Behluli bëri të ditur se deri më tani janë nënshkruar më shumë se 45 memorandume mirëkuptimi me akademi diplomatike dhe institucione partnere në vende të ndryshme të botës.

Sipas saj, këto partneritete dëshmojnë përkushtimin e Kosovës ndaj diplomacisë si instrument për dialog, mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Edicioni i 12-të i Shkollës Diplomatike këtë vit zhvillohet nën temën “Shtetet e vogla, diplomacia e zgjuar, siguria dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në kohë të pasigurisë globale”, duke vënë në fokus sfidat me të cilat përballen shtetet e vogla në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.

Përmes këtij programi, synohet forcimi i kapaciteteve profesionale të diplomatëve të rinj dhe avancimi i rolit të diplomacisë në mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Marta Kos kundërshton ndryshimet në Ligjin për Specialen

0
Luksemburg/Prishtinë – Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar ndryshimet e miratuara në Kuvendin e Kosovës për Ligjin mbi Dhomat e Specializuara, duke...