Artikull mbi librin “Bija e Zotit”’ e poetes ndërkombëtare Iris Calif
Nga kritikja letrare: Yocheved Eliya Ben-Dor
Në shkrimin e saj mbi përmbledhjen poetike “Bija e Zotit” të autores Iris Calif, kritikja e njohur Yocheved Ben-Dor përshkruan një botë poetike ku natyra, shpirtërorja dhe Hyjnorja ndërthuren në mënyrë të thellë. Ajo e sheh poezinë e Califit si një udhëtim përtej së dukshmes, drejt një thelbi të brendshëm e shpirtëror, drejt “pranisë së frymës Hyjnore”. Sipas Ben-Dor, poezitë e Iris Calif e shndërrojnë frikën, dyshimin dhe zbrazëtinë në dashuri, siguri dhe tërësi, duke krijuar një gjuhë poetike të veçantë, në të cilën bashkohen ndjeshmëria, natyra dhe Hyjnorja. Për Ben-Dor, pikërisht kjo lidhje e thellë është “Magjia e Vetëdijes”.

LIBRI: BIJA E ZOTIT
E lexova librin “Bija e Zotit” publikuar nga (Hadarim Publishing House, 2020) me një frymë, si të ishte një lutje, dhe ndjeva se jeta fsheh një sekret të thellë, i cili zbulohet vetëm atëherë kur jemi gati të hapim një pjesë të fshehur thellë brenda vetes. Ky sekret shfaqet gradualisht edhe në librin e saj të mëparshëm, “Një hënë e egër dhe e pastër”, dhe vazhdon të jetojë edhe te “Bija e Zotit”. Poezia e saj është si një shëmbëlltyrë e thellësive, ku në fund gjendet një perlë e vetme. Vargjet e saj shkojnë shumë përtej rrjedhave të së dukshmes, drejt thelbit, drejt pranisë së frymës Hyjnore, pra, drejt një lulëzimi të shenjtë. oetja Iris Calif thur vargje me fjalë që burojnë nga një rezervuar i thellë e krejtësisht i saji. Ajo i shndërron dhe u jep një formë të re, krejt tjetër. Para syve të mi shfaqet një grua, një krizalidë, një forcë që shndërrohet në flutur. Poezitë e saj ngrihen si shandanë drejt qiellit; brenda tyre frika, dyshimi dhe zbrazëtia treten dhe shndërrohen në dritat e shpirtit, të dashurisë, të sigurisë dhe të një tërësie të vetme. Iris Calif krijon një stil krejt të veçantë, të rrënjosur në një ndjenjë afërsie që gjendet kudo në natyrë dhe në një zgjedhje të vetëdijshme për vëllazërinë. Poezitë e saj veprojnë, mendojnë dhe ndiejnë përmes fuqisë së shpirtërores, e cila i bashkon këto tri përmasa në një realitet të ri, një realitet ku takohen dashuria, bukuria, e vërteta dhe urtësia. Poezitë e saj janë të brishta dhe të vetëdijshme; ato krijojnë përqendrim dhe, papritur, shpërthejnë me një energji të veçantë. Vargjet e saj më sjellin para syve pamje, tinguj, ndjesi, shije dhe aroma, të gjitha të lidhura drejtpërdrejt me natyrën dhe me Hyjnoren. Dhe pikërisht, kjo është magjia e vetëdijes.
IRIS CALIF – IZRAEL
Iris Calif është shkrimtare, poete, redaktore, përkthyese e poezisë dhe balerinë, veprimtaria e së cilës ka marrë një vlerësim të gjerë ndërkombëtar. Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Hebrenj në Izrael dhe e ACUM. Poezia e saj ndërthur shpirtëroren, artin dhe kulturën, duke krijuar një hapësirë poetike ku takohen njeriu, Hyjnorja, natyra dhe krijimi. Në qendër të krijimtarisë së saj qëndrojnë temat e shenjtërisë, shpirtërores, botëve superiore dhe ato të fshehta. Përmes tyre, ajo kërkon të ndriçojë lidhjen e thellë midis shpirtit njerëzor, besimit dhe Krijuesit. Rruga e saj artistike bashkon trashëgiminë shpirtërore të zërit hebraik me vlera universale, si: dashuria, njerëzorja, harmonia dhe paqja. Krijimtaria e saj është e rrënjosur thellë në një udhëtim të brendshëm shpirtëror, ku zëri hebraik, shpirti, natyra dhe Hyjnorja ndërthuren përmes poezisë. Shkrimi i saj shpreh një zë humanist dhe universal, i cili synon të ndërtojë ura paqeje, dashurie dhe dialogu midis popujve, kulturave dhe gjuhëve. Calif është redaktore dhe përkthyese e poezisë për revistën letrare, kulturore dhe artistike
“The Direction of the Wind: (BeKivun HaRuach), ku është përgjegjëse edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për përgatitjen e antologjive ndërkombëtare të poezisë. Ajo gjithashtu redakton dhe përkthen poezi nga autorë të ndryshëm ndërkombëtarë për revistën “MOKASINI” dhe për rubrikën “World Poetry” të faqes letrare “Hadarim”. Veç kësaj, Calif drejton Departamentin e Lidhjeve me Izraelin të revistës së artit dhe letërsisë CHINH Magazine (Hong Kong-Kinë), është anëtare e SAPS World Association of Artists and Writers dhe bën pjesë në bordin editorial të botimit në gjuhën angleze të World Poetry Yearbook. Në vitin 2026, Iris Calif u zgjodh Presidente Kombëtare për Izraelin e The Noble Laureate Award /World Noble Laureate Awards. Krahas krijimtarisë së saj origjinale, Iris përkthen në hebraisht veprat e poetëve nga bota, duke sjellë te lexuesit izraelitë zërat poetikë të kulturave të ndryshme. Poezitë dhe përkthimet e saj janë prezantuar në ekspozita arti dhe veprimtari letrare në Izrael, ndër të cilat ekspozita “Butterflies of Peace”, e cila u prezantua në qershor 2024, në Galerinë e Air Force House në Herzliya. Veprimtaria e saj si përkthyese dëshmon përkushtimin e saj ndaj dialogut kulturor ndërkombëtar, lidhjes midis gjuhëve dhe krijimit të një hapësire të përbashkët krijimtarie, mirëkuptimi dhe komunikimi midis popujve dhe kulturave.

Ndër çmimet dhe nderimet e saj ndërkombëtare përfshihen:
- Çmimi i Ekselencës – “Tra le parole e l’infinito” International Award, Itali, 2026, si e vetmja fituese nga Izraeli.
- Çmimi Special i Ekselencës Qyteti Galateo – Antonio De Ferraris, Itali, 2024, për poezinë “Angel of Life”.
- Çmimi: Poetja më e talentuar ndërkombëtare, 2023, dhënë nga IPTRC–CHINH, Kinë.
- Përfaqësuesja fituese e Izraelit në Konkursin “Friedrich Schiller International Literary”, Gjermani, 2025, me poezinë “The Desert Bride”.
- Çmimin Letrar Ndërkombëtar “The Greatest Poets of the World, Greqi-Meksikë, 2026
- Iris Calif mban titullin Doctor Honoris Causa, dhënë nga International Forum for Creativity,
- Humanity and Coexistence në Mbretërinë e Marokut.
Në vitin 2024, ajo u përzgjodh ndër 20 gazetarët ndërkombëtarë më të shquar nga Legacy Crown’s – Crown of Heritage (Azi). Ka marrë gjithashtu diploma nderi nga Unioni i Shkrimtarëve në Rusi dhe revista ndërkombëtare Arina NN, në shenjë vlerësimi për kontributin e saj në kulturën botërore, në komunitetin ndërkombëtar të poezisë dhe në forcimin e miqësisë midis kombeve. Në njohje të mëtejshme të arritjeve të saj letrare dhe të kontributit të saj ndërkombëtar, Iris Calif iu bashkua shoqatës letrare ndërkombëtare Creative Tribune – Germany (ILACT) dhe u emërua Ambasadore dhe Përfaqësuese e ILACT në Izrael. Calif njihet si poetja e parë izraelite që ka marrë këtë vlerësim. Anëtarësimi dhe emërimi i saj pasqyrojnë vlerësimin e shoqatës për talentin letrar, krijimtarinë dhe kontributin në zhvillimin e letërsisë, kulturës dhe lidhjeve letrare ndërkombëtare. Iris Calif rrjedh nga një familje me traditë kabaliste dhe kjo trashëgimi shpirtërore pasqyrohet në dimensionet mistike dhe kabaliste të poezisë së saj. Poezia e saj është e rrënjosur thellë në një udhëtim shpirtëror personal, ku zëri hebraik, shpirti, natyra dhe Hyjnorja ndërthuren përmes fjalës poetike. Në zemër të rrugëtimit të saj krijues qëndron dëshira për të ndriçuar zërin hebraik përmes dashurisë, jetës dhe besimit te Krijuesi, duke e hapur njëkohësisht poezinë e saj ndaj vlerave universale të njerëzimit, dhembshurisë, harmonisë, paqes dhe dialogut midis popujve dhe kulturave. Poezitë e saj janë botuar dhe janë prezantuar në radio e televizion, në revista, gazeta, antologji dhe në platforma të shumta letrare në Izrael dhe në mbarë botën. Veprat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë, ndër të cilat: shqip, spanjisht, italisht, kinezisht, arabisht, rusisht, bengalisht, turqisht, nepalisht dhe asamezisht. Artikuj dhe recensione letrare mbi veprën e saj janë botuar nga kritikë letrarë dhe studiues ndërkombëtarë, të cilët kanë vënë në pah veçantinë e krijimtarisë së saj dhe thellësinë e saj artistike e shpirtërore. Deri më sot janë botuar tre libra të saj: “Në një shteg të magjepsur, Lolita merr frymë” (2001), “Një hënë e egër dhe e pastër” (2017) dhe “Bija e Zotit” (2020). Aktualisht po punon për librin e saj të katërt dhe të pestë. Krijimtaria e saj vazhdon të përfaqësojë një zë të veçantë izraelit në skenën letrare ndërkombëtare, duke e pasuruar poezinë me përmasa të dashurisë, harmonisë dhe njerëzores, ndërsa ndriçon shpirtin njerëzor, të shenjtën dhe lidhjen e thellë midis njeriut, Zotit dhe krijimit. Përmes shkrimit, përkthimit dhe veprimtarisë së saj kulturore, Calif përcjell një ëndërr për paqe universale dhe për një dialog të qëndrueshëm midis popujve, kulturave dhe gjuhëve.
MBI KRITIKEN LETRARE
Yocheved Eliya Ben-Dor – Izrael
Yocheved Ben-Dor është poete, shkrimtare dhe kritike letrare izraelite, e lindur në vitin 1946. Ajo ka përfunduar studimet universitare në Filozofi Hebraike, Histori dhe Gjuhë Hebraike në Universitetin e Haifës, si dhe ka marrë certifikatë për mësimdhënie në arsimin e mesëm. Që nga viti 1983 është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Hebrenj në Izrael e gjithashtu është anëtare e ACUM. Ben-Dor ka botuar njëmbëdhjetë libra: gjashtë përmbledhje poetike, dy vepra në prozë dhe tre libra për fëmijë. Gjatë viteve, poezitë dhe shkrimet e saj janë botuar në revista letrare dhe gazeta, ndër të cilat “Moznaim”, “Iton 77”, “Al HaMishmar”, “Davar”, “Makor Rishon” dhe “Alei Siach”, si dhe në antologji të ndryshme letrare Artikuj dhe recensione mbi librat dhe krijimtarinë e saj janë botuar nga studiues, shkrimtarë dhe kritikë letrarë. Krijimtaria e saj ndërthur realitetin me misterin dhe eksploron traditën hebraike, besimin, kujtesën e Holokaustit dhe botën e brendshme të shpirtit njerëzor. Në veprën e saj ndihet një lidhje e fortë me burimet hebraike dhe me motivet e traditës kabaliste. Krahas veprimtarisë së saj letrare, Ben – Dor, ka punuar për shumë vite në arsim. Disa vite më pas ka drejtuar Qendrën e Arteve në Givat Haviva. Në vitin 1986, Ben-Dor mori Çmimin Wertheim Prize nga Kurzweil Institute i Universitetit Bar-Ilan, ndërsa në vitin 1997 iu dha Bat çmimi Yam Prize për letërsi. Ajo ka marrë gjithashtu medalje nga Fondacioni Yehoshua Rabinovich Arts, Tel Aviv (1986), si dhe nga Fondacioni Havatzelet Foundation of Hashomer Hatzair’s Kibbutz Artzi (1993).
(Përktheu: Angela Kosta)










