
Intervistoi Dashnim HEBIBI
INTERVISTË EKSKLUZIVE ME NAZIM SALIHUN – NOLI
“Hollywood-i më dha një tjetër perspektivë për profesionalizmin dhe kreativitetin. Aty kuptova edhe më shumë se arti nuk ka kufij.”, na tha ndër të tjera, z.Salihu.
Katër dekada punë, pasion dhe përkushtim për të ruajtur lidhjen me kulturën dhe komunitetin shqiptar.
Kam nderin dhe kënaqësinë të bashkëbisedoj me një personalitet të veçantë të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Nazim Salihu – Noli. E falënderoj për kohën dhe gatishmërinë për këtë bashkëbisedim. Z.Salihu është një nga ata njerëz që, sapo ulesh përballë tyre, të bëjnë të ndihesh i lirë. Buzëqeshja e tij, respekti që përcjell dhe mënyra e ngrohtë e komunikimit e krijojnë menjëherë një atmosferë miqësore. Ndoshta pikërisht kjo është edhe një nga arsyet pse mysafiri në studion e tij ndihet kaq i çlirët dhe arrin të flasë natyrshëm, pa barriera. Noli ka një veçori tjetër të bukur: zakonisht është ai që pyet, ndërsa sot është ai që përgjigjet. Përmes Noli TV, ai ka ndërtuar një hapësirë ku shqiptarët e suksesshëm nga arti, kultura, biznesi, media dhe fusha të ndryshme mund të tregojnë historitë e tyre. Emisionet e tij dallohen për profesionalizëm, komunikim të ngrohtë dhe respekt ndaj të ftuarit. Kamera nuk është thjesht një mjet për të transmetuar; ajo bëhet një urë komunikimi mes njerëzve, mes brezave dhe mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Por pas këtij televizioni dhe këtij komunikimi qëndron një histori e gjatë personale: nga Shkupi, te parukeria dhe sukseset në Kosovë; nga vitet e vështira të luftës, te emigrimi në SHBA; nga puna si parukier e përkthyes, te televizioni, radioja, gazetaria, filmi dhe sot Noli TV. Një rrugëtim rreth katër dekada, i ndërtuar me punë, guxim, pasion dhe mbi të gjitha me dashuri për njerëzit dhe për shqiptarët.

Z. Salihu, e di që jeni mësuar të realizoni intervista dhe ndoshta nuk është e zakonshme për ju të jeni në anën tjetër të mikrofonit. Si ndiheni sot si i intervistuar?
Është një ndjenjë paksa e veçantë. Për shumë vite kam qenë unë ai që bëj pyetjet, dëgjoj dhe tregoj historitë e të tjerëve. Sot, të jem në anën tjetër të mikrofonit më bën të reflektoj për rrugëtimin tim. Është një kënaqësi, por edhe një moment shumë personal.
Le të kthehemi në fillim. Kush ishte Nazim Salihu si fëmijë në Shkup dhe nga lindi dashuria për mikrofonin dhe parukerinë?
Që i vogël kam pasur dy pasione të mëdha: mikrofonin dhe flokët. Më tërhiqte komunikimi, skena dhe ideja për të qenë përpara njerëzve, por njëkohësisht më pëlqente shumë arti i flokut. Ndoshta atëherë nuk e kuptoja se këto dy pasione do të bëheshin pjesë e gjithë jetës sime.
Prindërit tuaj dëshironin që të ndiqnit mjekësinë. Si arritët të ndiqni pasionin tuaj, edhe pse rruga që kishin menduar për ju ishte krejt tjetër?
Prindërit e mi kishin dëshira të mira për mua dhe mendonin se mjekësia ishte një profesion i sigurt dhe i respektuar. Unë fillova shkollën e mesme të mjekësisë, por pasioni për parukerinë nuk më la asnjëherë. Gjatë atyre viteve vazhdova të merresha me flokët dhe gradualisht kuptova se kjo ishte rruga që doja të ndiqja.

Çfarë ju mësoi parukeria për njerëzit, komunikimin dhe jetën?
Parukeria më mësoi shumë më tepër sesa një profesion. Më mësoi të dëgjoj njerëzit, t’i kuptoj dhe të komunikoj me ta. Në sallon nuk vijnë vetëm klientë; vijnë histori, emocione, probleme dhe ëndrra. Kjo më ndihmoi shumë më vonë edhe në televizion.
Për 18 vite drejtuat “Noli Salon” në Kosovë. Çfarë kujtimesh ruani nga ajo periudhë?
Ajo periudhë është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. “Noli Salon” ishte rezultat i shumë viteve punë, përkushtimi dhe dashurie për profesionin. Kam shumë kujtime dhe mbi të gjitha kujtoj njerëzit që më kanë besuar dhe më kanë mbështetur gjatë atyre viteve.
Në një kohë kur Kosova ishte nën okupim, ju filluat të filmoni me kamerën tuaj. Çfarë kërkonit të dokumentonit dhe pse ishte kaq i rëndësishëm për ju mikrofoni dhe kamera?
Mikrofoni dhe kamera kanë qenë gjithmonë një dëshirë e imja. Kur bleva kamerën time të parë Panasonic me kaseta të vogla, fillova të eksperimentoj dhe të dokumentoj gjëra që më rrethonin. Në atë kohë kamera për mua nuk ishte thjesht një pajisje; ishte një mënyrë për të ruajtur kujtime dhe për të treguar atë që shihja.

„Lufta ndryshoi shumë gjëra në jetën time dhe të familjes sime“
Lufta e vitit 1999 ndryshoi jetën e shumë shqiptarëve. Si e ndryshoi ajo jetën e Nazim Salihut?
Lufta ndryshoi shumë gjëra në jetën time dhe të familjes sime. Ishte një periudhë e vështirë që na detyroi të mendojmë për një fillim të ri. Pas luftës vendosëm të emigrojmë në Shtetet e Bashkuara dhe aty filloi një kapitull krejt i ri.

Kur mbërritët në SHBA me familjen, cili ishte mendimi i parë që ju kaloi nëpër kokë?
Mendimi im ishte se duhet të filloja nga e para, por nuk duhet të dorëzohesha. E shihja Amerikën si një vend mundësish. Nuk e dija se sa e vështirë do të ishte rruga, por besoja se me punë dhe këmbëngulje mund t’ia dilja.
Ju keni thënë: “Është vendi i mundësive, do t’ia dal!” Çfarë ju dha forcën ta besonit këtë në një vend të ri?
Forcën ma dha besimi te vetja, familja dhe puna. Unë gjithmonë kam besuar se nëse një derë mbyllet, duhet të kërkosh një tjetër. Nuk kam pasur frikë të filloj nga zero, sepse e kam ditur se puna dhe pasioni në një moment do të hapin rrugë.
“Amerika më mësoi disiplinën”
Tetë vite në Minnesota, punë si parukier dhe përkthyes, madje edhe në State Capitol Building. Çfarë ju mësoi Amerika gjatë atyre viteve të para?
Amerika më mësoi disiplinën, respektin për punën dhe faktin se duhet të jesh gjithmonë i gatshëm të mësosh. Punova si parukier, por edhe si përkthyes në State Capitol Building. Ishin përvoja që më ndihmuan të kuptoj më mirë shoqërinë amerikane dhe të ndërtoj jetën time të re.

Më pas u vendosët në Connecticut. Si filloi kapitulli i ri i jetës suaj profesionale?
Connecticut ishte një kthesë e rëndësishme. Aty fillova të afrohem më shumë me botën e medias dhe televizionit. Përmes punës dhe kontakteve profesionale pata mundësi të afrohesha me njerëz të televizionit dhe të filloja të ndërtoja një rrugë të re.

“Në vitin 2012 pata mundësinë të punoja me profesionistë të televizionit WFSB Channel 3”
Ju u afruat me një televizion amerikan, me drejtues, gazetarë dhe producentë. Si u hapën këto dyer për një shqiptar që sapo kishte ndërtuar jetën në Amerikë?
Besoj se shumë gjëra erdhën përmes punës, komunikimit dhe marrëdhënieve njerëzore. Unë gjithmonë jam përpjekur të jem korrekt dhe profesional. Në vitin 2012 pata mundësinë të punoja me profesionistë të televizionit WFSB Channel 3, duke përgatitur të ftuarit për paraqitjet televizive. Aty fillova të shihja më afër botën që kisha ëndërruar që fëmijë.
Në vitin 2012 nisët punën për përgatitjen e të ftuarve në studio televizive. A ishte ky momenti kur ëndrra e vjetër për televizionin filloi të bëhej realitet?
Po, ishte një moment shumë i rëndësishëm. Unë isha pranë kamerave, pranë studios dhe pranë njerëzve të televizionit. Por brenda meje vazhdonte dëshira për të qenë vetë përpara mikrofonit. Kjo më shtyu të bëja hapin tjetër.
Si lindi ideja për emisionet tuaja kushtuar shqiptarëve?
Ideja lindi nga dëshira për të treguar historitë e shqiptarëve që kanë arritur sukses në vende të ndryshme të botës. Doja që këta njerëz të kishin një hapësirë ku të tregonin punën, sakrificat dhe arritjet e tyre. Fillova me radio online dhe më pas kalova në transmetime televizive.
Keni realizuar mbi 315 emisione. A ka ndonjë intervistë që ju ka mbetur veçanërisht në zemër dhe pse?
Kam pasur shumë intervista të veçanta dhe secila ka pasur historinë e vet. Për mua, më e rëndësishme është që çdo i ftuar të ndihet i respektuar dhe të ketë mundësi të tregojë historinë e tij. Nuk do të doja të veçoja vetëm një, sepse secila intervistë më ka lënë diçka.

A ka ndodhur ndonjëherë që një intervistë t’ju ketë ndryshuar juve si njeri?
Po. Kur dëgjon historitë e njerëzve, kupton se secili ka një betejë që nuk duket në ekran. Shumë nga të ftuarit më kanë mësuar të vlerësoj më shumë punën, familjen, sakrificën dhe mundësitë që kemi.
Nga parukeria te televizioni, nga radioja te gazetaria dhe nga televizioni te filmi – pse nuk jeni ndalur kurrë së kërkuari një sfidë të re?
Sepse për mua jeta është një proces mësimi. Unë nuk jam ndier mirë duke qëndruar në një vend. Gjithmonë kam dashur të mësoj diçka të re dhe të provoj veten në një fushë tjetër. Ndoshta kjo është arsyeja pse rrugëtimi im ka kaluar nëpër kaq shumë fusha.
“Hollywood-i më dha një tjetër perspektivë për profesionalizmin dhe kreativitetin”
Studimet për Special Effects Make-Up Artist në Beverly Hills/Hollywood ju çuan edhe në botën e filmit. Çfarë ju dha Hollywood-i që nuk mund ta mësonit askund tjetër?
Hollywood-i më dha një tjetër perspektivë për profesionalizmin dhe kreativitetin. Të studiosh dhe të punosh në një ambient të tillë të mëson se çdo detaj ka rëndësi. Aty kuptova edhe më shumë se arti nuk ka kufij.

Si ishte përvoja juaj në TLC Reality Show dhe në produksione të ndryshme amerikane e ndërkombëtare?
Ishte një përvojë shumë interesante dhe një mundësi për të parë nga afër se si funksionojnë produksionet profesionale. Çdo projekt më ka dhënë një mësim të ri dhe më ka afruar edhe më shumë me botën e televizionit dhe filmit.
Në vitin 2024 morët detyrën e Këshilltarit për Kulturë dhe Art në Pan Vatra. Çfarë përgjegjësie përfaqëson kjo për ju?
Për mua është një nder, por mbi të gjitha një përgjegjësi. E shoh si një mundësi për të kontribuar në promovimin e kulturës dhe artit shqiptar, për të mbështetur artistët dhe shkrimtarët shqiptarë dhe për të krijuar ura mes diasporës dhe trojeve shqiptare.

Foto- Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Amerikë, Elmi Berisha
Sot drejtoni edhe Noli TV. Çfarë është Noli TV për ju: një televizion, një mision, apo një urë mes shqiptarëve?
Për mua Noli TV është të trija, por mbi të gjitha është një urë. Është një hapësirë ku shqiptarët nga arti, kultura, biznesi dhe fusha të ndryshme mund të tregojnë historitë e tyre. Dua që përmes Noli TV të bashkoj njerëzit dhe të promovoj anën pozitive dhe të suksesshme të shqiptarëve.
Si e shihni atdheun nga Amerika? A ndryshon mënyra se si e percepton atdheun kur jeton mijëra kilometra larg tij?
Po, largësia të bën ta shohësh atdheun ndryshe. Kur je larg, fillon të vlerësosh edhe më shumë gjuhën, traditën, kujtimet dhe njerëzit. Për mua lidhja me atdheun nuk është dobësuar; përkundrazi, është bërë pjesë edhe më e rëndësishme e jetës sime.

Foto – Me Editorin e Diellit dhe patriotin Ilir Cubi
„Nëse e ruan gjuhën, kulturën dhe lidhjet me njerëzit, largësia nuk do të thotë shkëputje“
A mendoni se largësia e forcon apo e dobëson lidhjen e mërgimtarit me atdheun?
Mendoj se varet nga njeriu. Nëse e ruan gjuhën, kulturën dhe lidhjet me njerëzit, largësia nuk do të thotë shkëputje. Për mua, largësia ka qenë një arsye më shumë për të punuar për komunitetin shqiptar.
Sipas jush, çfarë duhet të bëjnë më shumë shtetet shqiptare dhe institucionet tona për mërgatën?
Mendoj se duhet të krijohen më shumë ura komunikimi dhe bashkëpunimi me diasporën. Mërgata ka profesionistë, artistë, intelektualë dhe njerëz me shumë përvojë. Duhet të krijohen më shumë mundësi që kjo dije dhe përvojë të lidhet me vendlindjen.

A mendoni se mërgata duhet të shihet vetëm si burim ekonomik, apo edhe si burim dijeje, kulture, profesionalizmi dhe përvoje?
Patjetër që jo vetëm si burim ekonomik. Mërgata është shumë më tepër se kaq. Ajo ka njerëz me dije, profesion, kulturë, eksperiencë dhe histori suksesi. Këto janë pasuri që mund t’i shërbejnë gjithë shoqërisë shqiptare.
Çfarë po humbasim dhe çfarë po fitojmë duke i rritur fëmijët shqiptarë larg atdheut?
Fëmijët në diasporë kanë mundësi të mëdha për arsimim dhe zhvillim, por rreziku është që të humbin lidhjen me gjuhën dhe kulturën. Prandaj familja ka një rol shumë të madh. Fëmijët duhet të rriten duke e njohur vendin nga vijnë dhe njëkohësisht duke përfituar nga mundësitë e vendit ku jetojnë.

Si e shihni gjeneratën e re shqiptare që po rritet në diasporë? A po e ruan gjuhën, kulturën dhe identitetin?
Ka shumë të rinj shqiptarë që po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Por ruajtja e gjuhës dhe kulturës kërkon punë nga familja dhe komuniteti. Nëse ne nuk ua përcjellim historinë, gjuhën dhe traditat, brezi i ri mund të largohet gradualisht prej tyre.
Nëse do t’ju jepej mundësia t’u dërgonit sot një mesazh të rinjve shqiptarë të lindur e rritur në Amerikë, çfarë do t’u thoshit?
Do t’u thosha: mos harroni kurrë nga vini. Mësoni, punoni, ecni përpara dhe shfrytëzoni mundësitë që ju jep Amerika, por ruajeni gjuhën, kulturën dhe identitetin tuaj shqiptar. Mund të jeni krenarë për të dyja kulturat.

Foto – Ambasadori i Kosovës në SHBA Prof. Dr. Blerim Reka
Ju jeni një shembull i një njeriu që e ka nisur disa herë jetën nga e para. Cili ka qenë momenti më i vështirë i rrugëtimit tuaj?
Një nga momentet më të vështira ishte largimi nga Kosova pas luftës dhe fillimi i një jete të re në Amerikë. Të lësh pas shumë gjëra që ke ndërtuar dhe të fillosh nga zero nuk është e lehtë. Por pikërisht aty mësova se duhet të kesh besim dhe të mos dorëzohesh.
“Mikrofoni që e ëndërroja si fëmijë është ende në dorën time”
Pas katër dekadash në art, media, biznes dhe komunitet, çfarë ka mbetur e pandryshuar te Nazim Salihu – Noli?
Ka mbetur dashuria për njerëzit, pasioni për artin dhe dëshira për të komunikuar. Edhe sot më pëlqen të mësoj, të krijoj dhe të dëgjoj historitë e njerëzve. Mikrofoni që e ëndërroja si fëmijë është ende në dorën time.
Nëse do ta kishit mundësinë të takonit veten tuaj të ri, atë djaloshin në Shkup që ëndërronte mikrofonin dhe flokët, çfarë këshille do t’i jepnit?
Do t’i thosha: beso te vetja dhe mos ki frikë të ndjekësh ëndrrën tënde. Rruga nuk do të jetë gjithmonë e lehtë, por nëse punon dhe nuk dorëzohesh, një ditë do ta shohësh se ëndrra mund të bëhet realitet.

Dhe në fund, cila është ëndrra që Noli ende nuk e ka realizuar?
Ëndrra ime është të vazhdoj të krijoj dhe të ndërtoj diçka që të mbetet edhe për brezat e ardhshëm. Dua që Noli TV të rritet edhe më shumë dhe të jetë një platformë ku shqiptarët kudo në botë të ndihen të përfaqësuar. Dhe besoj se ëndrrat nuk mbarojnë kurrë; sa kohë që ke pasion, gjithmonë ke një hap tjetër për të bërë. Unë e kam nisur rrugëtimin me dy ëndrra: mikrofonin dhe artin e flokut. Sot, pas më shumë se katër dekadash, kuptoj se të dyja më kanë mësuar të njëjtën gjë: të dua njerëzit, të komunikoj me ta dhe të krijoj. Rrugëtimi vazhdon, sepse për sa kohë kemi ëndrra, kemi edhe arsye për të ecur përpara.

Ju falënderoj, i nderuar z. Salihu, për këtë bashkëbisedim të ngrohtë dhe të sinqertë. Shpresojmë që të kemi sërish mundësinë të bashkëbisedojmë edhe herë të tjera, sepse veprimtaria juaj e gjatë në art, media, kulturë dhe në shërbim të komunitetit shqiptar është shumë e gjerë dhe e pamundur të përshkruhet e gjitha përmes një interviste të vetme. Ju urojmë shumë suksese në rrugëtimin tuaj dhe në projektet e ardhshme, me dëshirën që historia juaj të vazhdojë të frymëzojë edhe brezat e rinj shqiptarë.










