Bernë – Rezultati i referendumit për neutralitetin e Zvicrës ka tërhequr vëmendje edhe përtej kufijve të vendit. Pas refuzimit me 70.2% të votave të iniciativës për forcimin e neutralitetit, mediat dhe aktorë politikë ndërkombëtarë kanë nisur të diskutojnë se çfarë do të thotë ky rezultat për mënyrën se si perceptohet Zvicra në botë, transmeton 20min.ch. Në mediat europiane rezultati është interpretuar në mënyra të ndryshme. Der Spiegel e përshkroi votën si refuzim të një izolimi më të madh përmes neutralitetit më të rreptë, ndërsa Euractiv vuri në fokus refuzimin e përpjekjes për ta forcuar neutralitetin në Kushtetutë. Edhe në Rusi rezultati është ndjekur me vëmendje. Mediat ruse, përfshirë agjencinë shtetërore TASS, raportuan gjerësisht për votimin. Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, theksoi pas referendumit se Zvicra ishte vëzhguar me shumë vëmendje gjatë këtij procesi.
Kritikët: “Diplomacia e paqes është dobësuar”
Komiteti që mbështeti iniciativën e neutralitetit e konsideroi rezultatin një mundësi të humbur për Zvicrën. Sipas tij, vendi nuk arriti të forconte mbrojtjen e vet ndaj presioneve të brendshme dhe të jashtme. Mbështetësit e iniciativës argumentuan gjithashtu se pjesëmarrja e Zvicrës në sanksionet kundër Rusisë ka dobësuar rolin tradicional të vendit në diplomacinë e paqes. Christoph Blocher e cilësoi rezultatin si një goditje për sigurinë e ardhshme të Zvicrës, ndërsa deputeti i SVP-së, Rémy Wyssmann, tha se debati ndërkombëtar e kishte bërë të qartë rëndësinë e neutralitetit zviceran.
Mbështetësit e “Jo”-së: Neutraliteti mbetet në fuqi
Nga ana tjetër, përfaqësuesit politikë që mbështetën refuzimin e iniciativës nuk shohin një ndryshim të statusit neutral të Zvicrës. Deputetja e të Gjelbërve, Sibel Arslan, argumentoi se neutraliteti është tashmë i përcaktuar në Kushtetutën zvicerane dhe se refuzimi i iniciativës nuk do të thotë se Zvicra heq dorë nga neutraliteti. Edhe bashkëkryetari i Partisë Socialdemokrate, Cédric Wermuth, theksoi se neutraliteti, sipas tij, nuk duhet të nënkuptojë mungesë qëndrimi ndaj shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare. Debati pritet të vazhdojë edhe pas referendumit, veçanërisht lidhur me marrëdhëniet e Zvicrës me Bashkimin Europian, sanksionet ndaj Rusisë dhe rolin tradicional të Bernës si vend neutral dhe ndërmjetësues.
Dy iniciativa të refuzuara
Referendumi i 27 shtatorit përfshiu edhe iniciativën për sovranitetin ushqimor. Edhe kjo nismë u refuzua me shumicë të gjerë, duke marrë 72.5% të votave kundër. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 47%. Rezultatet e dy iniciativave i japin kështu fund përpjekjeve për ndryshimet kushtetuese të propozuara, ndërsa qeveria federale zvicerane ruan kuadrin aktual të politikës së neutralitetit dhe të sanksioneve ndërkombëtare, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.










