TIRANË – Shqipëria e ka nisur me fitore aventurën e saj në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke triumfuar 2-0 ndaj Bjellorusisë në stadiumin “Air Albania”. Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe kërkuan menjëherë golin. Manaj pati një mundësi për të zhbllokuar rezultatin, ndërsa në krahun tjetër Etrit Berisha u shfaq vendimtar me një ndërhyrje që mbajti portën shqiptare të paprekur. Goli i parë erdhi rreth një çerek ore para përfundimit të pjesës së parë. Shqipëria fitoi një penallti pas një kontakti në zonë me Gjimshitin, ndërsa nga pika e bardhë u tregua i saktë Kristjan Asllani, duke kaluar kuqezinjtë në epërsi. Shqipëria nuk u mjaftua me kaq. Para se të mbyllej pjesa e parë, Ernest Muçi dyfishoi avantazhin pas një asistimi të Elseid Hysajt, duke çuar skuadrën shqiptare në pushim me epërsi të rëndësishme 2-0.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë vazhduan të kontrollonin lojën dhe patën mundësi për ta thelluar rezultatin. Një nga rastet më të mira i takoi Taulant Seferit, i cili nuk arriti ta shfrytëzonte mundësinë për të shënuar golin e tretë.
Bjellorusia tentoi të reagonte, por nuk arriti të krijonte rrezik të mjaftueshëm për të ndryshuar rrjedhën e takimit. Shqipëria menaxhoi avantazhin deri në fund dhe regjistroi tri pikët e para. Kjo fitore i jep kuqezinjve një start pozitiv në Ligën e Kombeve dhe krijon një atmosferë të mirë para sfidës së radhës. Ndeshja e ardhshme e Shqipërisë do të jetë kundër San Marinos, vetëm tri ditë më vonë. Kuqezinjtë synojnë ta vazhdojnë serinë pozitive dhe të marrin një tjetër rezultat të rëndësishëm në këtë garë./BW









