Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar që ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të mos i llogaritet koha e kaluar në paraburgim në dënimin që mund t’i shqiptohet në rastin për pengim të drejtësisë.
Në dosjen përfundimtare të Prokurorisë, sipas Indeksonline, thuhet se koha e kaluar në paraburgim duhet të llogaritet vetëm në kuadër të çështjes tjetër gjyqësore ndaj Thaçit. Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin në këtë rast. Sipas kërkesës së saj, nëse koha e kaluar në paraburgim nuk zbritet nga ky dënim, atëherë, në kombinim me dënimin prej 25 vjetësh të shqiptuar në çështjen tjetër, dënimi total do të arrinte në 31 vjet. Në argumentimin e saj, Prokuroria i është referuar Rregullës 163(6), si dhe një vendimi të Dhomës së Apelit në çështjen “Bemba et al”, duke argumentuar se koha e kaluar në paraburgim, kur lidhet me fletarrestime në çështje të ndryshme, mund të merret parasysh vetëm një herë. Për bashkë të akuzuarit e tjerë, Prokuroria ka kërkuar tre vjet burgim për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, ndërsa për Hajredin Kuçin ka kërkuar nëntë muaj burgim, transmeton rtk.
Më poshtë: Dokumentacioni gjyqësor publik.
https://repository.scp-ks.org/details.php?doc_id=0910c8e180619964&doc_type=stl_filing&lang=eng










