Pullat postare të Kosovës kanë shënuar një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare, duke fituar dy vende të treta në garën prestigjioze “Praga Ars Philatelica 2026”, të zhvilluar në kuadër të panairit ndërkombëtar “Sběratel – Collector Fair Prague 2026”.
Në kategorinë “The Most Beautiful Miniature Sheet”, emisioni “Flora shëruese dhe aromatike”, me autore Hyrije Ademi, u vlerësua me vendin e tretë, duke spikatur për paraqitjen artistike dhe tematikën e tij. Një tjetër vlerësim për filatelinë kosovare erdhi në kategorinë speciale “Architecture on Stamps”, ku emisioni “Qytetet e Kosovës – Janjeva”, me autor Milot Krasniqi, u rendit gjithashtu në vendin e tretë. Panairi dhe gara u zhvilluan më 4 dhe 5 shtator në ambientet e PVA Expo Prague, duke mbledhur pjesëmarrës dhe koleksionistë nga vende të ndryshme.
Posta e Kosovës e ka cilësuar këtë rezultat si një tjetër arritje të rëndësishme për filatelinë kosovare. Sipas saj, çmimet e fituara dëshmojnë se emisionet postare të Kosovës po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje dhe vlerësim në skenën ndërkombëtare. Përtej funksionit të tyre postar dhe koleksionues, pullat shërbejnë edhe si një mënyrë për të prezantuar Kosovën jashtë vendit. Përmes temave që lidhen me kulturën, historinë, arkitekturën, trashëgiminë dhe natyrën, ato përcjellin elemente të identitetit dhe vlerave të vendit te publiku ndërkombëtar. Dy çmimet e treta në Pragë i shtohen kështu rezultateve të filatelisë së Kosovës në konkurset ndërkombëtare, duke e vendosur krijimtarinë e autorëve kosovarë përballë punimeve nga vende të ndryshme të botës, transmeton rtk.










