Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nisë të mërkurën e ardhshme një turne në Ballkanin Perëndimor, me ndalesën e parë në Shqipëri, ndërsa të enjten do të udhëtojë drejt Kosovës.
Gjatë vizitës në Shqipëri, von der Leyen pritet të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Vizita vjen në kuadër të kontakteve të nivelit të lartë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit.
Një ditë më pas, shefja e Komisionit Evropian do të vizitojë Kosovën, ku sipas agjendës së publikuar do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura në detaje temat që do të jenë në fokus të takimeve. Megjithatë, vizita zhvillohet në një periudhë kur procesi i integrimit evropian dhe marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten në qendër të agjendës evropiane.
Pas Shqipërisë dhe Kosovës, turneu i von der Leyen do të vijojë në Mal të Zi dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë kështu katër vende të rajonit.
Lajmi për turneun u bë i ditur nga zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill, gjatë konferencës së përditshme për media.
Në këtë vizitë rajonale, von der Leyen nuk do të ndalet në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Sipas sqarimit të dhënë nga Komisioni Evropian, këto dy vende janë lënë jashtë itinerarit për shkak të zgjedhjeve të ardhshme.
Turneu i presidentes së Komisionit Evropian pritet të shërbejë si një mundësi për forcimin e kontakteve me partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe për diskutimin e zhvillimeve të fundit në rajon./BS










