BERN – Më 27 shtator 2026, qytetarët me të drejtë vote në Zvicër do të votojnë për dy iniciativa popullore federale: Iniciativën për Neutralitetin dhe Iniciativën për Ushqimin. Të dyja çështjet prekin fusha të rëndësishme të politikës zvicerane, nga politika e jashtme dhe siguria deri te bujqësia, ushqimi dhe mbrojtja e ujit, transmeton 20min.ch. Iniciativa për Neutralitetin kërkon që në Kushtetutën zvicerane të përcaktohet një praktikë më e rreptë e neutralitetit. Ndër të tjera, ajo parasheh që Zvicra të mos anëtarësohet apo bashkëpunojë me aleanca ushtarake, përveç rasteve kur vendi sulmohet ose kur një sulm i tillë është i përgatitur. Nisma kërkon gjithashtu kufizime për pjesëmarrjen në masa ndëshkuese ndaj shteteve ndërluftuese, me përjashtime për sanksionet e Kombeve të Bashkuara dhe masat kundër shmangies së tyre.
Sipas Këshillit Federal dhe Parlamentit, kuadri aktual i neutralitetit i jep Zvicrës hapësirën e nevojshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve në situatën ndërkombëtare. Komiteti iniciues, ndërkaq, argumenton se neutraliteti duhet të jetë i përhershëm, i armatosur dhe më gjithëpërfshirës. Në votim është edhe Iniciativa për Ushqimin, e cila synon rritjen e prodhimit vendor të ushqimit. Nisma kërkon që të paktën 70 për qind e ushqimit të konsumuar në Zvicër të prodhohet brenda vendit. Ajo kërkon gjithashtu më shumë prodhim me bazë bimore, përdorim më të kufizuar të pesticideve dhe plehrave, si dhe masa për mbrojtjen e ujit të pijshëm, biodiversitetit dhe tokës.
Këshilli Federal dhe Parlamenti e kundërshtojnë këtë nismë, duke argumentuar se objektivat e saj janë tepër të gjera dhe se zbatimi brenda afatit të paraparë do të ishte i vështirë. Nga ana tjetër, komiteti iniciues e lidh nismën me sigurinë ushqimore, mbrojtjen e ujit dhe forcimin e prodhimit bujqësor vendas.
Në prag të votimit, 20 Minuten dhe Tamedia kanë hapur gjithashtu një anketë pas votimit, përmes së cilës qytetarët ftohen të tregojnë se si kanë votuar dhe të ndajnë qëndrimet e tyre. Rezultatet e votimit zyrtar do të publikohen nga autoritetet zvicerane pas mbylljes së votimit më 27 shtator, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.










